/ Nga: Dashnim HEBIBI, Prishtinë/
Rasti e solli që të udhëtoj me autobus nga Prishtina për në Gjilan. Një rrugë jo fort e gjatë në kilometra, por e mundimshme në përjetim. Një rrugë ku pothuajse nuk kalon ditë pa dëgjuar për ndonjë aksident, pa parë pasojat e pakujdesisë dhe mungesës së infrastrukturës.
Çfarë e bën edhe më të dhimbshme këtë udhëtim është pamja që të shfaqet në çdo ndalesë: copa plastike, qese, shishe, mbeturina të çdo lloji — një mjedis i përlyer nga dora e njeriut, nga pakujdesia, nga mungesa e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë.
Toka ka filluar të vishet me ngjyrat e pranverës, lulet e para kanë çelur, gjelbërimi ka mbuluar fushat. Por kjo bukuri po zbehet, po mbulohet nga berdhoku që e rrethon çdo hapësirë publike. Paramendoni si do të jetë kur të vijë vera me 40 gradë – helme që avullojnë, ndotje që përhapet, pasoja që bien mbi shëndetin e çdo qytetari.
A ka vend për mbeturina, a ka kosha për to? Jo. As karrige për të pritur, as një strehë për shi apo borë në stacionet e autobusëve. Qytetarët presin në kushte minimale, të harruar nga institucionet, të lënë në mëshirë të fatit. Kjo nuk është vetëm çështje higjiene – është çështje dinjiteti dhe shëndeti publik.

Kush është përgjegjës? Kush duhet ta marrë këtë çështje seriozisht? Pse nuk po e ngremë zërin për këto dukuri? Apo nuk na duken më të rëndësishme se lajmet e rreme, TikTok-u e emisionet zbavitëse?
Unë, si mërgimtar, e them me dhimbje: kemi nevojë për një vetëdijesim të thellë. Duhet të zgjohemi. Të ndalojmë së helmuari tokën tonë. Çdo mbeturinë e hedhur nga një dorë, kur grumbullohet me të tjerat, bëhet një mal që na mbyt të gjithëve. Po e shkaterrojmë natyrën dhe me të – veten tonë.
Nëse e duam atdheun, duhet ta fillojmë me dashurinë për mjedisin. Sepse një popull që nuk e ruan tokën ku jeton, nuk po ruan të ardhmen e vet.
SAM24.info