
Reportazh nga Mërgim Bekteshi, Prishtinë
Ndërsa aeroplani filloi të ulej në aeroportin e Cyrihut, nga dritarja vëzhgoja pamjen e një shteti, që nga viti 1815, ishte ndërtuar për të ruajtur paqen brenda vetes. Ishte kalorësia e fundit e Napoleon Bonapartit ajo që kishte parë bukurinë dhe madhështinë e këtij vendi karizmatik. Pas atij viti, sikur të gjithë pushtuesit ranë dakord që Zvicra të mbetej e të gjithëve – si një zonjë e vjetër që dëshironin ta vështronin me mallëngjim nga larg. Por kjo zonjë, sa më shumë që plakej, aq më e bukur bëhej – si vera franceze që piqet në kohë. Nga lartësia e avionit, toka dukej e mbushur me gjallëri. Sipërfaqet bujqësore ishin të punuara me një simetri profesionale, sikur një dorë arkitekti të kishte vendosur gjithçka me përpikëri, përpara se toka të mbushej me njerëz.

Në rrugën Eugen-Huber-Strasse 19a të Cyrihut, para një ndërtese valon flamuri i Republikës së Kosovës. Përballë saj ndodhet një pllakë në ngjyrë ari ku shkruhet: “Konsullata e Republikës së Kosovës”. Të besoje në vitin 1981, kur demonstratat studentore në Kosovë dhe grupet që kërkonin të drejta ishin në kulmin e represionit, se Kosova do të fitonte ndonjëherë statusin e saj si republikë, do të ishte konsideruar absurde. Por dekada më vonë, ëndrra u bë realitet. Kosova fitoi pavarësinë dhe shqiptarët nga Kosova nuk kishin më nevojë të trokasin në dyert e ambasadave të ish republikave jugosllave për ndihmë juridike.

Vuajtja shekullore e shqiptarëve të Kosovës u përmbyll me çlirimin në qershor të vitit 1999 dhe me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Mediumet ndërkombëtare e përshkruajnë këtë si një arritje historike pas një periudhe të gjatë të dhimbjes.
Një reklamë në Kosovë thoshte: “Ju imagjinoni projektin tuaj, ne do t’ua hedhim në letër”. Kjo ishte pikërisht ajo që bënë shumë intelektualë dhe patriotë: imagjinuan dhe ndërtuan lirinë e Kosovës. Para këtyre viteve, jeta për shqiptarët ishte e vështirë, e mbushur me vuajtje siç thoshte Anton Çetta: “Ne vuanim për një shuplakë lirie”.
Në zyrat e Konsullatës së Cyrihut, shefi i misionit Vigan Berisha, së bashku me zëvendësit Avniu dhe Artditën, si dhe nëpunësit Dritonin dhe Betimin, punojnë edhe gjatë fundjavave. “Punoni edhe për vikend?” – i pyes me kureshtje. “Ka shumë kërkesa dhe komuniteti shqiptar është mjaft i pranishëm në këtë qytet. Duhet të jemi të ndershëm me ta, kanë vuajtur shumë për atdheun”, thotë shefi i konsullatës.




Rrugët e Cyrihut mbajnë hijeshinë e një vendi përrallor. Ndërtesat e vjetra ruajnë historinë dhe arkitekturën e tyre të hershme. Nënkalimet në rrugët automobilistike janë të pastra dhe betoni duket sikur është derdhur vetëm disa ditë më parë. Pastërtia është e jashtëzakonshme, njësoj si në një shtëpi ku fshesa elektrike punon çdo ditë. Barishtet dhe lulet nuk kositen derisa petalet të bien vetvetiu, një shenjë që tregon për kujdesin ndaj natyrës dhe polenit.
Në mbrëmje, sapo bie terri i parë, komuniteti shqiptar mblidhet pranë Konsullatës së Kosovës. Ky komunitet ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në lirinë dhe pavarësinë e vendit. Që nga vitet ’70 dhe ’80, të përndjekurit politikë nga regjimi jugosllav u strehuan në Zvicër dhe nuk ndaluan aktivitetin e tyre as financiarisht dhe as politikisht. Kjo frymë organizimi vazhdon edhe sot me përkushtim. Më kujtohet vargu i himnit kombëtar të Asdrenit: “Që kombe shuhen përmbi dhe, po Shqipëria do të rrojë. Për të, për të, luftojmë ne!”. Ky varg është simbolik për këtë komunitet dhe është frymëzues për të ecur përpara në mesin e helvetikëve.

Në sallën e madhe të takimeve në konsullatë, shefi i misionit përveç angazhimeve diplomatike organizon takime letrare dhe aktivitete të tjera kulturore që shërbejnë për të mbajtur gjallë frymën e shqiptarëve. Ky komunitet ka krijuar edhe Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, e udhëhequr nga Musa Jupolli. Me të biseduam për letërsinë, ndërsa Bardhec Berisha kishte ndërmarrë një iniciativë të guximshme: përkthimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën gjermane. Muharrem Blakaj vazhdon të jetë një lexues i përkushtuar i letërsisë shqipe. Takova edhe shumë veprimtarë të tjerë, përfshirë Metush Zenunin, historian dhe luftëtar i UÇK-së, i cili pas luftës jetoi disa vite në Kosovë dhe më pas u kthye në Zvicër.
Në çdo aktivitet komunitar, Mentor Thaqi, shfaqet me plis të bardhë në kokë. Gazetari i njohur i “Rilindjes”, Rexhep Rifati, edhe pse në moshë, ai është gjithmonë në lëvizje, duke dokumentuar çdo ngjarje përmes fotografive. Fjolla, një vajzë e lindur dhe rritur në Zvicër, interpreton me mjeshtëri këngën “Baresha” të kompozuar nga Rexho Mulliqi, duke ruajtur me përpikëri çdo ngjyrim të interpretimit origjinal nga artistja e madhe Nexhmije Pagarusha.
Në restorantin “Tiara Grill”, një kamerier më përshëndet me një “Mirëdita”. Në fillim mendova se ishte një përshëndetje respekti për shkak të njohjes me stafin e Konsullatës, por ai vazhdoi: “Mirë se keni ardhur! Ju ofroj menynë”. Aty e kuptova se përshëndetja në shqip është diçka krejtësisht e zakonshme në Cyrih.
