/ Intervistoi: PhD.Dashnim HEBIBI
„Kur diaspora vizitohet vetëm gjatë muajit elektoral dhe katër vite nuk i sheh me sy më, i bie se mërgata shfrytëzohet vetëm për ta marrë ndonjë votë prej tyre. Ky veprim është më shumë se keqpërdorim. Në këtë mënyrë ndjehemi të ofenduar, të përbuzur e të mashtruar pa fije turpi. Për këtë arsye, në një postim timin, kam bërë thirrje për bashkatdhetarët: ‘Ju lutem, mos e falni votën tuaj, por kushtëzojeni’! Nuk kam menduar që të anoj për ndonjë subjekt politik, kjo vlenë për të gjithë njësoj“, na tha ndër të tjera z.Sefa.
Intervistë ekskluzive me Dr. Sali Sefën, ish konsullin e Republikës së Kosovës në Cyrih, njëherit diplomat në karrierë.
Kam nderin që e njoh Dr. Sefën personalisht. Personalitet i sfidave, të cilat i ka fituar githmonë. Z. Sefa na nderoi neve stafin dhe gjithë lexuesit tanë, duke shprehur fjalë zemre e shpirti. Më duhet shumë për të shkruar për punën e madhe gjatë gjithë karrierës së tij, por një është e sigurtë, ai gëzon autoritet në masë të gjerë. I qetë, modest dhe shumë i dashur. Edhe kur ishte në pozitën e konsullit, ai ishte i afërt me bashkatdhetarët. Po ju lë, të nderuar lexues, të përcillni intervistën, të cilën e zhvilluam me z. Sefa.
Sefa, kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i këtij viti. E di se keni pasur shumë angazhime, sepse nuk dini të ndaleni. Cila është puna më e frytshme që keni bërë gjatë këtij viti?
I nderuar Dr. Dashnim Hebibi, një intervistë me ju është nder për mua. Çdo bisedë me ju, gjatë këtyre viteve me solli knaqësi. Intelekti juaj prej një atdhetari të devotshëm të çështjes kombëtare, qetësia e juaj prej një ambasadori për paqe, më krijon një ndjenjë lumturie vetëm se të kam mik shpirtëror, andaj do të mundohem të kontribuoj në pyetjet tuaja me plot knaqësi. Vitin që po e lëmë ishte ndër më të veshtirët për mua dhe familjen time. Në fillim të vitit 2024, bashkëshortja ime u diagnostifikua me një sëmundje jo të lehtë dhe pas dy ndërhyrjeve kirurgjike, rrezatim me jod radioaktiv dhe një ndërhyrje, po ashtu të rrezikshme, ia arritëm bashkë të triumfojmë. Edhe terapitë e mia të mërzitshme, po ashtu bashkë me Florën, ia dolëm dhe do t’ia dalim edhe në vijim. Sa i përket angazhimeve të mia, aty ku e kam vlerësuar të jem e të angazhohem, nuk jam ndalur asnjëherë, por do të veçoja: dy punime shkencore gjatë vitit, disa promovime librash, përgatitja dhe moderimi i rreth 20 emisioneve televizive, pjesëmarrja në TV Dugagjini janë, deri diku, përmbushjet e punës sime për vitin 2024. Falënderoj familjen time, miqtë dhe të gjithë shoqërinë për përkrahjen e vazhdueshme që po ma bëjnë.
Jeni diplomat karriere. Konsulli i parë i Republikës së Kosovës në Cyrih.
Po, miku im, isha diplomat karriere rreth 9 vite, i akredituar në Konfederatën Helvetike, me një korrigjim të vogël. Konsullja e parë e Konsullatës së RKS në Zürich ishte znj. Dhurata Selimi, ndërsa unë jam i dyti me radhë në postin e konsullit e poashtu jam edhe konsulli i parë në Konsullatën e Kosovës në Zürich.
Jeni mërgimtar i hershëm, një herë në Gjermani dhe tashmë në Zvicër. Si e shihni të ardhmen e të rinjve shqiptarë të diasporës, të cilët po lindin e edukohen nëpër vende të ndryshme të Evropës e botës?
Rreth 17 vite punë dhe veprimtari të pandërprerë në Berlin të Gjermanisë dhe14 vite në Zvicër, gjithmonë afër dhe bashkë me mërgimtarë. Mendoj se e njoh dhe e di mirë se si frymon e si vepron mërgimtari ynë. Ne e dimë se gjysma e popullatës sonë, fatkeqesisht, është jashtë trungut, jasht vendlindjes, e shpërndarë gati në çdo shtet të botës, për çka nuk duhet të lavdrohemi por…! E potencova me theks të veçantë, jashtë vendlindjes, jashtë atdheut, kjo vlen për secilin bashkatdhetar që u lind brenda trojeve tona etnike, por… çka të themi për fëmijët tanë, të cilët u lindën, u shkolluan, u edukuan edhe u rritën jashtë vendlindjes së prindëve të tyre!?
Sa u përket fëmijve tanë, ende kemi një shpresë se do të jenë afër me mëmëdheun, por si do të jetë me fëmitë e fëmijëve tanë?!
Të rinjtë tanë në mërgatë?
E them me kuptimin e plotë të fjalës se janë të shkëlqyeshëm, ata, për secilën ditë, janë duke depërtuar dhe avansuar në çdo pore të jetës në shtetet ku jetojnë. Sot, të rinjtë tanë i ke në secilin institucion, edhe ate në vende të rëndësishme, nga profesorë universitetesh, avokatë, inxhinierë, mjekë, artistë, regjisorë e deri të pozita të ndryshme në vendim marrje e politikëbërje në shtetet ku jetojnë. Si konstatim, sipas mendimit tim, sa i përket të ardhmes për të rinjtë tanë, është e pakrahasueshme me gjeneratat e mëparshme, në kuptimin pozitiv, në kontinuitet e avansim drejt kulmit. Ata, si individë, kanë një përspektivë të ndritur përpara, por… me një ofshamë të thellë e rikujtoj thëniën se ‘guri peshon në vendin e vet’!
Si veprimtar i dalluar i kauzës kombëtare, pa u ndalur në bëmat e juaja, vuajtjet e juaja që i keni pasur para pavarësisë së Kosovës, në ditët më të vështira, nuk jeni dorëzuar. Si e shihni Kosovën sot?
Veprimtaria ime, në aspektin kombëtar, është një pikë e vogël në krahasim me shumë atdhetarë të devotshëm të çështjes kombëtare. Për vuajtjet dhe dorëzimin, as te shokët e as tek unë, asnjëherë nuk ka qenë temë. Mendoj se edhe sot mund të jap e të kontribuoj në aspektin kombëtar dhe nuk e kam ndërmend të ndalem.
Si e shihni Kosovën sot?
Miku im, një atdhetari të devotshëm, mos ia bëj këtë pyetje, sepse nuk do të marrësh përgjigje reale. Punae atdheut është sikurse fëmia për nënën, e po ashtu, nëna për fëmijën. Sa do që fëmia të bëjë për nënën, është pak, nuk do të jetë i kënaqur, sepse gjithmonë ka mundësi edhe më shumë. Edhe Kosova, sa do që ka zhvillime të pakontestushme, sidomos kur bëjmë krahasime nga vitet e pasluftës, prapëseprapë jemi të pakënaqur, shohim dhe dallojmë vetëm ngecjen. Simptomë e dashurisë ndaj vendlindjes. Me një fjalë, është zhvillim mirë, por ka mundur të jetë edhe shumë më mirë. Megjithatë, përçarje e madhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në trevat tjera shqiptare.
Sa i përket pluralizmit politik, si duket, ne shqiptarët, as nuk kuptuam drejt dhe nuk duam ta kuptojmë. Mospajtushmëria partiake nuk guxon të shkojë në përshkallëzime, përcarje e deri te një urrejtje e skajshme. Mospajtimet dhe shprehja e fjalës së lirë është vlerë e demokracisë, por nuk guxon të kalojë në paranojë e me pasoja skajshmërisht të dëmshme e të mëdha. Më e rënda dhe më e dhimbshmja dhe më e dëmshmja është tentativa, në kohën e fundit, për ti përçarë shqiptarët kudo dhe atë në të gjitha trevat e shtetet ku ata jetojnë si autoktonë. Kjo më mërzitë tmerrësisht. Nga ky polarizim i tmerrshëm fitojnë të gjithë, ama të gjithë, përveç neve shqiptarëve.
Ne dëmtohemi e pësojmë humbje, ndërsa fitojnë të tjerët. A nuk është e tmerrshme kjo?
E pësëris thënien e kobshme se armiku më i madh i shqiptarëve janë vet shqiptarët! Kjo e vërtetë po qëndron edhe sot dhe po na përcjell sikurse hija e trupit tonë. Ku mbeti një thënie e bukur e George Gordon Bajronit që i pëshkruan shqiptarët kështu: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peisazh të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur qe ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.
Cila, sipas jush, është arritja më e madhe e vitit 2024 në Kosovë?
Për vitin 2024 mund të pajtohemi se ka një arritje, sa i përket Veriut të Mitrovicës dhe shtrirja e dorës së ligjit atje, edhepse krejt çka thuhet nuk është bindëse dhe kam dyshimet e mia, më shumë po shfrytëzohet si propagandë politike. Në anën tjetër, kemi edhe dy marrëveshje në Bruksel dhe Ohër, të cilat për syrin tim janë tepër të dëmshme e për të cilat uroj ta kem gabim!
Çfarë duhet të bëjë mërgata jonë që të mos politizohet nga atdheu?
Që nga viti 1995 jam idhtar i depolitizimit të mërgatës. Mendoj se nuk duhet të ketë organizime partiake jashtë vendit. Edhe ashtu, këto subjekte nuk përkojnë me ligjet e shteteve ku veprojnë, sepse asnjë parti nuk ka të drejtë legjitime të regjistrimit jashtë vendit. Këtë pyetje mund ta kthej edhe në kundërpyetje për të gjithë lexuesit tuaj.
Partitë politike në mërgatë, përveç ndarjes në grupe, përçarjes, ofendimeve, çka i sollën tjetër qytetarit tonë?
A mund të më thojë dikush, me të gjitha këto shpenzime që po bëhen tani, para zgjedhjeve, sa bursa studentësh do të mund të ndaheshin, sa vende pune do të krijoheshin, sa të sëmurë do të ndihmoheshin e shumë të tjera të mira do të bëheshin, andaj shtrohet pyetja, a duhet të ekzistojnë partitë politike jashtë vendit?! Jo, nuk duhet! Mërgata ka nevojë të depolitizohet dhe të organizohet ne formë lobi. Uroj që një ditë, sa nuk është tepër vonë, të fillojë një iniciativë për të tjetërsuar këtë organizim. Mërgata jonë është vlerë dhe aset i madh për zhvillimin e Kosovës, jo vetëm për ndonjë votëc, si po na trajtojnë. Sa herë që vijnë zgjedhjet, temë bëhet diaspora.
Ka kontribuar sa duhet shteti për diasporën tonë?
Kur diaspora vizitohet vetëm gjatë muajit elektoral dhe katër vite nuk i sheh me sy më, i bie se mërgata shfrytëzohet vetëm për ta marrë ndonjë votë prej tyre. Ky veprim është më shumë se keqpërdorim. Në këtë mënyrë ndjehemi të ofenduar, të përbuzur e të mashtruar pa fije turpi. Për këtë arsye, në një postim timin, kam bërë thirrje për bashkatdhetarët: ‘Ju lutem, mos e falni votën tuaj, por kushtëzojeni’! Nuk kam menduar që të anoj për ndonjë subjekt politik, kjo vlenë për të gjithë njësoj. Kushtëzojeni votën tuaj me premtimet që kanë dhënë partitë dhe denoni për mosrealizimin e tyre! Vetëm në këtë mënyrë kontribojmë për të mirën e vendit.
Ku do të duhej të investonte sa më shpejt që të jetë e mundur shteti i Kosovës për diasporën, në përgjithësi?
1.Shtetet tona duhet, urgjentisht, të investojnë dhe ta marrin përgjegjësinë e plotë në arsim me ministritë përkatëse për mësimin plotësues në gjuhën amtare për fëmijët tanë!
2.Të krijohen mundësi dhe lehtësi e më shumë respekt që diaspora të jetë sa më afër dhe brenda në vendlindje!
3.Që remitencat tona, mos të shërbejnë vetëm si material harxhues, por ndërtues e në shërbim të zhvillimit të vendit! Ka shumë për të thënë në këtë drejtim, por nëse nuk mund të na ndihmojnë, mos të vijnë e të na përcajnë! Edhe në botën mediale ka probleme.
Nuk kemi redaksi të TVSH-së apo të RTK-së, kur kemi tema sa të duash të mërgatës dhe kjo do ti ndihmonte, padyshim, mërgatës?
Është e pakuptueshme, pse dy mediumet më të mëdha shtetërore (TVSH e RTK) ndajnë aq pak minutazhë për mërgatën! Ka llojllojshmëri temash që do të mund të trajtoheshin, nga ligjërata të ndryshme, arritje të shumta nga bashkatdhetarët që mund të krenohej i gjithë kombi. Me një fjalë, përmes mediumeve të lartëcekura, të prezantohet vlera e mërgatës, e cila ka se çka të prezentojë.
Ka kohë që kam kërkuar që të kemi edhe Muzeun e Diasporës në Kosovë. Kjo ide nuk është dëgjuar. A do të duhej që ta kemi këtë muze, duke e ditur kontributin e madh që e ka dhënë mërgata jonë, para, gjatë dhe pas pavarësisë së Kosovës?
Tema për Muzeun e Diasporës, para disa vitesh e patë inicuar z. Ibrahim Makolli, atëherë Ministër për Diasporë, ku ju z. Hebibi keni qenë këshilltar edhe ideator për Muzeun e Diasporës. Keni plotësisht të drejtë dhe duhet të rifillojë një nismë e re në atë drejtim. Mërgata jonë është vlerë kombëtare, ajo kontribuoi para luftës dhe mbajti gjallë familjet dhe strukturat paralele të kohës. Rol vendimtar pati në ndihmën dhe organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe luftat tjera për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tri shkronjat e arta (UÇK) të dizajnuara po nga mërgata, nuk do ta kishin lavdinë e saj, pa pjesëmarrjen direkte të mërgatës, si në njerëz, po ashtu me ndihmën materiale. As sot nuk mund ta paramendojmë vendlindjen tonë pa ndihmat që vijnë nga mërgata andaj. Muzeu i Diasporës është domosdoshmëri historike.
Flitet për kthim të trurit nga diaspora për në atdhe dhe në anën tjetër nuk ka lëvizje të besueshme.
I nderuar, kthimi i trurit, dijes dhe përvoja e madhe nga diaspora, nuk bëhet vetëm me fjalë boshe, duhet iniciativa serioze e joshëse, të jipet hapësirë dhe kushte lehtësuese për bartjen e dijes së fituar në vende të ndryshme të botës për të praktikuar në atdhe. Të krijohen kushte për investime, e jo të mbillet frikë se atje ka rreziqe e pasiguri lufte, sepse ndikojnë negativisht për secilin investues që deshiron të bëjë diçka atje!
“Përfaqësimi në parlamentet tona me deputetë nga diaspora është nevojë jetike. Domosdoshmëri është dhe duhet të jetë edhe numri i garantuar i deputetëve nga jashtë vendit, minimumi gjashtë deputetë”
Si njohës i mirë i mërgatës sonë dhe atdhetar, besoni se nëse do të kemi më shumë deputetë në Parlamentin e Kosovës dhe pse jo ministra, Kosova do të jetë më ndryshe?
Përfaqësimi në parlamentet tona me deputetë nga diaspora është nevojë jetike. Domosdoshmëri është dhe duhet të jetë edhe numri i garantuar i deputetëve nga jashtë vendit, minimumi gjashtë deputetë për ta krijuar grupin parlamentar. Secili deputet nga diaspora duhet të jetë zëri i mërgatës dhe mu aty të propozohet projekti edhe për muzeun që folëm më lart, ta përfaqësojë mërgatën dinjitetshëm dhe të zgjedhet i zgjedhuri drejtpërsëdrejti nga vota e mërgatës! Mendoj se një hap në këtë drejtim, që në start do ta bënte Kosovën ndryshe.
Si e shihni vitin 2025?
Fillimisht, dëshira ime që percillet me një brengë të madhe, do të ishte që padrejtësitë dhe gabimet që po i bëhën luftës sonë të lavdishme, të ndryshojnë, të përmirësohen dhe çlirimtarët ti kthehen triumfalisht Kosovës dhe familjeve të tyre! Po ashtu, dëshira ime është që zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të shkojnë ashtu si i ka hije! Të kemi një qeveri me më shumë se një parti.
Urimi juaj për një vit të ri për të gjithë shqiptarët, kudo që janë?
Urimi im për vitin e ri shkon për të gjithë shqiptarët, kudo në botë. Një jetë të tërë e bëra për ti bërë bashkë shqiptarët dhe nuk ia arrita. Tërë fuqinë time e shpenzova në këtë drejtim me një rezultat lakmues gjatë kohës së luftës në Berlin me komunitetin shqiptar që bëri jehonë dhe dha suksese të jashtëzakonshme. Nuk jemi të vetëdijshëm sa të fuqishëm jemi, kur jemi bashkë. Uroj që së paku politikëbërja kosovare e shqiptare të jetë unike dhe bashkë në vendime të mëdha në politikën e jashtme, sepse edhe gabimet e mundshme do të jenë shumë më të vogla, por edhe fitoret të jenë rezultat bashkimi që do ti gëzojmë bashkë. Gëzuar, shumë i nderuar! Të uroj të gjitha të mirat ty dhe familjes tuaj!
helveticALforum