Ka nisur me vonesë seanca për miratimin e Qeverisë “Kurti 3”. Albin Kurti ka theksuar se vonesa më shumë se gjashtëmuajshe ka penguar punët shtetërore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa ka treguar se asnjë parti nuk ka pranuar të hyjë në koalicion.
“Sot, mbi 6 muaj që prej thirrjes së seancës konstituive, me në fund kemi Kuvend të konstituuar dhe kemi arritur në pikën e formimit të Qeverisë. Kjo është një vonesë e paprecedentë në historinë e Republikës. Kjo vonesë ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve shtetërore, janë vonuar marrëveshjet ndërkombëtare, plani i rritjes me BE, proceset e reformave dhe është lënduar besueshmëria e shtetit tonë para partnerëve ndërkombëtarë”.
“Në këto 6 muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme e shterruese. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bë ftesa nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje bashkëqeverisëse”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka ftuar deputetët që ta votojnë qeverinë, pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve.
“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”, ka theksuar Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë me dije se Qeveria e re planifikon miratimin e projektligjit të buxhetit 2026, vendimin për caktimin e pensionit minimal prej 150 euro për 200 mijë pensionistë, rritjen e shtesave për fëmijët me 50 për qind, rritjen e pagës minimale në 500 euro, si dhe ndryshimet ligjore që mundësojnë heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët.
Ai ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit Qeveria ka arritur rritjen më të lartë ekonomike në rajon.
“Katër vitet e fundit kemi ndërtuar me krejt cka kemi ditur e mundur. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon me rritje mesatare mbi 6 për qind. Sfidën e inflacionit kemi ditur ta menaxhojmë. Kemi shtuar punësimin dhe kemi rritur edhe të ardhurat e familjeve. Kemi bërë shumë punë të mira por kemi edhe shumë të tjera që na presim. Kemi liberalizuar vizat në zonat shengen. Kemi përmirësuar imazhin e vendit”, ka thënë ai teksa ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore” , ka deklaruar Kurti mes tjerash.
Ai ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore, duke theksuar se institucionet e vendit janë ndërtuar mbi vullnetin qytetar dhe se Kuvendi duhet të forcojë rolin e tij në mbikëqyrjen e Qeverisë.
“Është në dorën tuaj që ta na mundësoni qeverisjen e mirë. Roli i Kuvendit duhet të forcohet në mbikëqyrjen e Qeverisë”, ka thënë mes tjerash Kurti, transmeton rtk.
