/ Intervistoi: Dashnim HEBIBI /
Intervistë me Alburon Kolgecin, MA në Menaxhim Publik dhe Politikë në USI | Trajnues Administrativ në Istituto Cardiocentro Ticino – EOC
Ka përfunduar studimet Master në Menaxhim Publik dhe Politikë në Università della Svizzera Italiana. Ka aftësi të shkëlqyera komunikimi të fituara gjatë studimeve dhe përvojës së punës. Për më tepër, ka përvojë të mirë në menaxhimin e grupeve të njerëzve dhe aftësi të mira organizuese të punës, të fituara gjatë eksperiencave të tij. Gjatë eksperiencave të mëparshme të punës ka fituar aftësinë për t’u lidhur me klientët dhe kolegët, duke u përballur me situata sfiduese dhe duke gjetur zgjidhje të ndryshme për problemet. Komunikimi me njerëzit është thelbësor për të. Punon mirë në ekip dhe është i motivuar të bashkëpunojë me të gjithë. Është i interesuar për çështjet publike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe qëndrueshmërinë. Tema e MA ka qenë: „Neutraliteti zviceran në Kosovë: Një studim rasti mbi perceptimin dhe ndërtimin e paqes“.
„Rinia mos ta harrojë që të parët tanë kanë vuajtur para lufte, gjatë dhe pas lufte veç për të na dhuruar e siguruar neve mundësinë të jetojmë në një vend tjetër, mund të na indifikojnë e që na bashkon të gjithëve“, tha ndër të tjera Alburoni.
Jeni lindur në Itali, jetoni në Zvicër dhe vini nga Kosova. Kush ju ka ndihmuar më së shumti që ta doni kaq shumë atdheun e të parëve të juaj?
Filliisht ju falënderoj për mundësinë mediale që po më jipni dhe ju falenderoj edhe një herë për dhënien e lajmit për përfundimin e studimeve të mia. Ju uroj shumë suksese dhe shpresoj shumë se nuk do ju mungojnë sukseset. Që nga lindja, familja ime më ka treguar prej nga vjen edhe vuajtjet që i ka përjetuar gjatë luftës. Kjo më ka dhënë mundësinë ta dua edhe më shumë vendin e të parëve të mi edhe ndihem krenar dhe mburrem.
Si jeni pritur në shkollat zvicerane?
Jam pritur shumë mirë, me respekt. Intergrimi im ka qenë shumë i lehtë, meqë edhe këtu flitet gjuha italiane edhe kanë shumë ngashmëri mes vete.
E zgjodhët vet drejtimin e studimeve apo të ndihmoi dikush rreth idesë?
E kam zgjedhur vet drejtimin për arsye se më ka pëlqyer politika e komunikimit gjithmonë. Bota e politikës është shumë misterioze e duhet shumë kujdes në paraqitje e komunikim, e meqë e kam pasur këtë mundësi, jam i lumtur që kam vazhduar në këtë drejtim.
E patët të vështirë?
Po, normal që ka pasur momente të vështira, por dëshira për atë që e studjon kalon mirë, përkushtimi i madh i arrinë rrezulatet e pritura dhe veshtirësitë kalohen, duke e pritur synimin e caktuar më parë.
Pse e zgjodhët temën që ka të bëjë me Kosovën?
Zakonisht nuk është folur për misionin e Zvicrës në Kosovë. Tema ime nuk ka qenë në mënyrë akademike e shqyrtuar edhepse e kam një lidhje Kosovën dhe Zvicrën, meqë jam i lidhur me dy vendet në mënyra të veçanta.
Sipas jush, cila është e mira e asaj që shteti zviceran edhe pse është neutral, ai ka ndërtuar paqe në Kosovë?
Sipas meje, me rëndësi është garantimi për mirëbajtjen e paqes, sepse politika e saj është e zhvilluar mos ta mbajtë vetëm njërën anë, ose anën tjetër, por preferimin e një dialogu konstruktiv në të mirën e dy ose disa palëve.
Është pritur mirë nga mentori tema në fjalë?
Po, sepse kam fol për neutralitetin e Zvicrës. Është një temë për të cilën kanë folur shumë, por askush nuk e ka shtjelluar këtë temë për Zvicrën në Kosovë në mënyrë praktike, duke i marrë shumë intervista të personaliteteve të ndryshme. Kam pasur material të mjaftueshëm e kjo më ka mundësuar të zgjeroj temën dhe interesimi për të treguar sa më shumë për intervenimin e Zvicrës në Kosovë që të njihet edhe më gjerë.
Sa herë në vit e vizitoni Kosovën?
Mundohem të shkoj, të paktën dy herë në vit. Edhe pse dëshira është e madhe të shkoj më shumë. Gjuhën shqipe e flisni shumë mirë.
Do të kishit dashur që edhe fëmijët tuaj të mos e harrojnë, por ta ruajmë gjuhën e të parëve tanë?
Po, kam dëshirë të vazhdojmë ta ruajmë gjuhën shqipe, sepse është një lidhje për ta mbajtur me vendin tonë, me familjarët e sigurisht që do të vazhdoj ta kultivoj edhe me fëmijët e mi.
Po ju dha mundësia që të kontribuoni me profesion në Kosovë, a do të kishit pranuar të shkonit?
Sigurisht se është një mundēsi për mua, edhe dëshirë e madhe, por në këtë moment jam i orientuar për në Zvicër për të vazhduar profesionin që të përvetësoj edhe në mënyrë praktike.
A do të ju shohim me titull doktor shkence në një të ardhme të shpejtë?
Mendoj të punoj e krahas punës sigurisht që e mendoj edhe doktaraturën. Por, dëshira të praktikoj profisionin për ta filluar karrierën profesionale njëherë është prioriet.
E ëma juaj është poete. Shkruani edhe ju poezi?
Jo, nuk shkruaj. Unë e kam nië personalitet të orientuar në praktikimin e profesionit tim, por një shembull sikur mami im më lë të kuptoj jetën në një kënd tjetër. Nëna ime është inspirimi më i madh për mua.
Për fund, çka i kishit preferuar atyre të rinjve që janë në dilemë, të fillojnë studimet apo jo?
Studimet nuk janë garanci që të bëjnë njeri. Sikur të ishte që të gjithë ata që studjojnë ta ndërrojnë botën për të mirë, kisha thënë të studiojnë të gjithë. Kur isha më i ri, nuk e kam kuptuar plotësisht se sa janë me rëndësi studimet, sidomos sot ka shumē konkurencë në punë. Në atë moment që e kam kuptuar vlerën e studimit, nëse mund t’u jap këshillë atyre që janë të rinj, ju kisha thënë të vazhdojnë studimet se kultura dhe zhvillimi i mentalitetit është shpëtim për shoqërinë e gjerë.
Ju falemnderit shumë! Cili do të ishte urimi juaj për vitin e ri 2025?
Rinia mos ta harrojë që të parët tanë kanë vuajtur para lufte, gjatë dhe pas luftës veç për të na dhuruar e siguruar neve mundësinë të jetojmë në një vend tjetër, mund të na indifikojnë e që na bashkon të gjithëve. Urime festat e fundvitit!
Punim i Alburon Kolgecit;
Neutraliteti zviceran në Kosovë: Një studim rasti mbi perceptimin dhe ndërtimin e paqes
Neutraliteti i Zvicrës është gurthemel i politikës së saj të jashtme. Ai përfshin paanshmërinë në konfliktet ndërkombëtare, ndërsa mbetet thellësisht e angazhuar në çështjet humanitare dhe proceset e ndërtimit të paqes. Megjithatë, gjatë dekadave të fundit, kjo pozicion ka hasur sfida të reja, pasi forcat e armatosura zvicerane janë përfshirë gjithnjë e më shumë në misione për ruajtjen e paqes. Ky ekuilibër delikat është më i dukshëm në Kosovë, ku kontingjenti zviceran SWISSCOY ka qenë aktiv që nga viti 1999, si pjesë e misionit të NATO-s për ruajtjen e paqes KFOR.
Kërkimi im i fundit fokusohet te perceptimi i neutralitetit zviceran në Kosovë dhe hedh dritë mbi mënyrën se si prezenca ushtarake zvicerane perceptohet në një shoqëri pas-konfliktit. Duke u bazuar në intervista të zhvilluara me qytetarë kosovarë, rezultatet zbulojnë një imazh të nuancuar të perceptimit të neutralitetit zviceran në terren.
Neutraliteti i Zvicrës në ruajtjen e paqes
Komuniteti ndërkombëtar e njohu zyrtarisht Zvicrën si shtet neutral në vitin 1815, gjatë Kongresit të Vjenës. Neutraliteti i saj karakterizohet nga një paanshmëri e armatosur dhe një pozicion i qartë i mos-pjesëmarrjes në luftëra jashtë kufijve të saj. Sidoqoftë, përballë kërcënimeve në rritje për sigurinë globale, Zvicra është angazhuar më shumë në misione ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, duke ruajtur statusin e saj si një vend neutral. Kontingjenti SWISSCOY në Kosovë ilustron këtë ndryshim, duke kontribuar në konsolidimin e paqes, por pa marrë pjesë në luftime direkte; për shembull, duke ofruar mbështetje logjistike, mjekësore dhe operacionale.
Roli i SWISSCOY në Kosovë
Kosova është në qendër të përpjekjeve ndërkombëtare të Zvicrës për promovimin e paqes. SWISSCOY u krijua në vitin 1999, si pjesë e KFOR-it të udhëhequr nga NATO, për të kontribuar në stabilizimin e rajonit. Fillimisht, duke ofruar mbështetje logjistike dhe mjekësore, SWISSCOY ka evoluar, duke marrë një rol gjithnjë e më të integruar brenda KFOR-it dhe misionit të tij për ruajtjen e paqes. Kjo bëhet gjithmonë në përputhje me politikën e neutralitetit të Zvicrës, duke u abstenuar nga luftimet.
Sfidat me të cilat përballet Zvicra janë të sigurojë që neutraliteti i saj të njihet dhe respektohet, ndërkohë që luan një rol aktiv në zonat e konfliktit. Ky dilemë reflektohet në perceptimin lokal të misionit të SWISSCOY, i cili ishte objekt i këtij studimi rasti.
Perceptimi i neutralitetit zviceran në Kosovë
Nga intervistat e kryera me një grup të larmishëm qytetarësh kosovarë, dalin pikëpamje të ndryshme për perceptimet lokale ndaj SWISSCOY. Shumica e të anketuarve e shohin Zvicrën si një aktor neutral që kontribuon pozitivisht në procesin e konsolidimit të paqes. Shumë të intervistuar vlerësojnë rolin jo-luftarak të SWISSCOY, duke theksuar se prezenca zvicerane nuk ka peshën politike apo interesat ushtarake shpesh të lidhura me fuqitë e mëdha të huaja. Një prej të intervistuarve deklaroi: “Zvicra është këtu për të ndihmuar, jo për të kontrolluar,” duke reflektuar bindjen e përhapur që mbështetja logjistike, mjekësore dhe për ruajtjen e paqes nga SWISSCOY është e përshtatur me nevojat lokale.
Megjithatë, studimi zbuloi edhe një pjesë skepticizmi te disa prej të intervistuarve, veçanërisht te të rinjtë ose ata më aktivë politikisht. Këta individë ngrejnë pyetje për qëndrueshmërinë e neutralitetit zviceran në një peizazh gjeopolitik gjithnjë e më kompleks. Për shembull, një i intervistuar përmendi vështirësinë për të qëndruar neutral brenda një misioni ndërkombëtar që përfshin kaq shumë aktorë politikë. Kjo pasqyron frikën se me një përfshirje në rritje në misione ndërkombëtare, Zvicra mund të afrohet gradualisht me strategjitë më të gjera gjeopolitike perëndimore, pavarësisht traditës së saj të gjatë të neutralitetit.
Në përgjithësi, megjithëse shumica e kosovarëve kanë një mendim pozitiv për neutralitetin zviceran dhe përpjekjet e tij për konsolidimin e paqes, studimi tregon se qytetarët janë gjithnjë e më të shqetësuar për mënyrën se si Zvicra do të menaxhojë evoluimin e rolit të saj në misionet e ardhshme ndërkombëtare për ruajtjen e paqes. Sidoqoftë, këto shqetësime janë më të vogla krahasuar me nevojën e perceptuar nga qytetarët që SWISSCOY të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet lokale.
Përfundimi: Një epokë e re për neutralitetin zviceran?
Angazhimi i Zvicrës në Kosovë është pjesë e një tendence më të gjerë të politikës së saj të jashtme: përshtatja e neutralitetit me kompleksitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare moderne. Në këtë kontekst, roli i SWISSCOY në Kosovë përbën një studim rasti të rëndësishëm mbi perceptimin e neutralitetit zviceran në terren. Megjithëse ky studim tregon reagime përgjithësisht pozitive nga popullsia lokale, ato nuk janë pa shqetësime për sfidat e ardhshme.
Ndërsa Zvicra vazhdon rolin e saj në ruajtjen e paqes në nivel ndërkombëtar, misioni në Kosovë shërben si model për të ilustruar mënyrën se si neutraliteti mund të ruhet në praktikë. Ai gjithashtu ngre pyetje të rëndësishme mbi evolucionin e neutralitetit në një botë gjithnjë e më të ndikuar nga konfliktet.
Ky studim rasti, i realizuar në kuadër të punimit tim të masterit, kontribuon në një kuptim më të mirë se si neutraliteti mund të evoluojë duke respektuar vlerat e tij themelore, duke e bërë Zvicrën një aktor unik dhe të respektuar në përpjekjet ndërkombëtare për paqe.
helveticALforum