Pesë referendume për të drejta të punës dhe për më shumë demokraci
Nga: Mattia Lento dhe Hilmi Gashi
Në datat 8 dhe 9 qershor, Italia do të votojë në 5 referendume, të cilët prekin temat e punës dhe shtetësisë. Italianët jashtë vendit do ta marrin paketën elektorale që në maj. Unia mbështet referendumet dhe fton italianët që jetojnë në Zvicër dhe punëtorët ndërkufitarë të votojnë dhe t’i bindin të tjerët të votojnë PO.
Më 8 dhe 9 qershor të këtij viti, qytetarët italianë do të thirren për të votuar në 5 Referendume shumë me rëndësi për të gjithë punëtorët dhe të huajt, të cilët synojnë të natyralizohen në Itali. Në Itali, një vend dikur shembullorë në temën e mbrojtjes së punëtorëve, pasiguria në punë tani ka arritur nivele që nuk janë më të pranueshme: Largimi nga puna është bërë përherë e më i lehtë, gjithmonë e më shumë mbizotëron puna e përkohshme si dhe siguria në shumë kontekste është bërë një temë, e cila vetëm përmendet por nuk i kushtohet rëndësi. Për këtë arsye, CGIL, konfederata më e madhe e sindikatave në Gadishullin Italian, e cila përfshin mbi 5 milionë anëtarë, ka nisur 4 referendume që synojnë të shfuqizojnë disa nga rregullat më të dëmshme për punëtorët. Krahas referendumeve për punësimin, ai për shtetësinë synon të lehtësojë natyralizimin e popullsisë së huaj. Të 5 referendumet mbështeten nga një koalicion i gjerë, i cili përfshin sindikata, parti, shoqata dhe organizata të shoqërisë civile.
Barriera e parë është pragu i kuorumit
Megjithatë, suksesi i referendumit lidhet me tejkalimin e kuorumit prej 50% të votuesve: vetëm nëse tejkalohet ky prag, referendumet do të konsiderohen të vlefshme, duke prodhuar efekte të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në kushtet e punës dhe të jetesës së njerëzve. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që italianët që jetojnë jashtë vendit të tyre të origjinës të marrin pjesë në votim. Vania Alleva, kryetare e Unia dhe shtetase italiane thotë: “Temat e referendumit janë të njëjtat për të cilat po luftojmë edhe ne në Zvicër: lufta kundër pasigurisë, në favor të sigurisë në punë dhe lehtësimit të qasjes në shtetësi. Sindikata Unia fton qytetarët italianë të votojnë dhe të bëjnë të tjerët të votojnë PO 5 herë”.
5 pyetjet e referendumit
Largimet e paligjshme: në kompanitë me më shumë se 15 punonjës, punëtorët e punësuar nga data 7 mars 2015 e në vazhdim nuk mund të kthehen në vendin e tyre të punës edhe nëse gjyqi e vlerëson dhe deklaron ndërprerjen e marrëdhënies së punës të padrejtë dhe të pabazuar. Referendumi i parë synon të shfuqizojë këtë rregull për të ndaluar shkarkimet e pajustifikuara.
Më shumë mbrojtje në bizneset e vogla: në bizneset me më pak se 16 punonjës, në rast të largimit të padrejtë nga puna, një punëtor mund të marrë një kompensim maksimal prej 6 muajsh. Pyetja e dytë kërkon shfuqizimin e rregullit që vendos këtë kufi duke rritur kompensimin në bazë të kapacitetit ekonomik të shoqërisë, përgjegjësive familjare dhe moshës së personit që shkarkohet.
Reduktimi i punës së pasigurt: në Itali rreth 2.3 milionë njerëz kanë kontrata pune me afat të caktuar. Kontratat me afat të caktuar tashmë mund të lidhen deri në 12 muaj pa ndonjë arsye objektive që arsyeton punën e përkohshme. Pyetja e tretë rivendos detyrimin për të dhënë arsyet për përdorimin e kontratave me afat të caktuar.
Më shumë siguri: pyetja e katërt synon të trajtojë çështjen e nënkontraktimit në lidhje me aksidentet në punë, duke modifikuar rregullat aktuale, të cilat parandalojnë shtrirjen e përgjegjësisë ndaj shoqërisë kontraktore në rast aksidenti gjatë kontratave. Kështu, kompania klient inkurajohet të përdorë kontraktorë seriozë që respektojnë rregulloret për parandalimin e aksidenteve.
Shtetësia: pyetja e pestë synon të ulë nga 10 në 5 vitet e qëndrimit të ligjshëm në Itali që kërkohen për të aplikuar për shtetësi, të cilat pasi të merren do t’u kalohen djemve dhe vajzave të mitura. Ky ndryshim përfaqëson një arritje vendimtare për rreth 2.5 milionë qytetarë me origjinë të huaj që kanë lindur, rriten, jetojnë, studiojnë dhe punojnë në Itali.
Informacionet shtesë për referendumet dhe fushatën i gjeni këtu:
Bashkohuni edhe me ne, dhe angazhohuni: comitatosvizzero@gmail.com