Shqipëria ka hapur zyrtarisht Konsullatën e saj të Përgjithshme në Strugë, në funksion të ofrimit të shërbimeve për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe forcimit të pranisë diplomatike në këtë shtet.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Timco Mucunski, si dhe përfaqësues të autoriteteve vendore dhe trupit diplomatik.
Ministri Hasani tha se kjo zyrë konsullore është një mjet për të qenë më pranë qytetarëve dhe për të ofruar shërbime më të shpejta dhe efikase, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
“Në një kohë kur lëvizshmëria e qytetarëve tanë është rritur ndjeshëm, si për arsye turizmi, edhe për angazhime sezonale ekonomike, nevojat për shërbime konsullore janë bërë më urgjente. Kjo konsullatë nuk do të jetë thjesht një zyrë dokumentesh, por një urë funksionale mes shtetit shqiptar dhe qytetarëve të vet, një hapësirë që ofron shërbime dhe afirmon kujdesin institucional. Kjo konsullatë do të shërbejë si platformë për promovimin e kulturës shqiptare për nxitjen e shkëmbimeve akademike dhe artistike, për afrimin e bizneseve, si dhe për krijimin e urave të reja në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm, nga bujqësia e turizmi deri te energjia e shëndetësia.
Le të jetë kjo derë e re jo vetëm një pikë kontakti, por një ftesë për më shumë dialog, më shumë partneritet dhe më shumë vizion të përbashkët për të ardhmen,” uroi ministri Hasani.

Të dy ministrat zhvilluan edhe një takim dypalësh, ku diskutuan për integrimin europian, zhvillimet në rajon dhe për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Konsullata e re në Strugë do të mbulojë qytetet Strugë, Ohër, Manastir, Kërçovë, Dibër, Gjevgjeli dhe Resnjë./ Rugova Dunisha, transmeton rtsh.