Ademi falënderon presidenten Osmani për dekorimin e kreut të FIFA-s

0
SHARES
1
VIEWS

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur mirënjohje ndaj presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, për vendimin që të dekorojë Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë.

 

Kreu i futbollit botëror, nesër do të vizitojë Kosovën, derisa nga ora 13:00, ai do të dekorohet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një letër dërguar presidentes Osmani, Ademi e ka cilësuar këtë akt si një dëshmi të respektit që Kosova ka për kontributin e Infantinos në zhvillimin e futbollit kosovar dhe në afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ai ka kujtuar se në vitin 2016, në kongresin e parë të Infantino-s si president i FIFA-s, Kosova u pranua si anëtare e barabartë e kësaj organizate, duke e quajtur këtë një moment historik për futbollin dhe shtetin e Kosovës.

Presidenti i FFK-së ka theksuar se dekorimi i Infantinos forcon partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet.

“Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, të komunitetit të futbollit dhe të gjithë dashamirëve të këtij sporti, dëshiroj të ju shpreh mirënjohjen më të thellë për vlerësimin dhe nderin që do t’i bëni presidentit të FIFA-s, mikut të madh të Kosovës, Gianni Infantino, me dekorimin e tij gjatë vizitës së tij të dytë në Kosovë, të mërkurën. Ky akt i lartë institucional është një dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për rolin dhe kontributin e z. Infantino si president i FIFA-s, për zhvillimin e futbollit tonë dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare.  Gianni Infantino ka pasur fatin që në Kongresin e tij të parë si president, në vitin 2016, të shpallë Kosovën anëtare të barabartë të FIFA-s, një moment ky historik që e ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin tonë si shtet”, thuhet në letrën e kreut të FFK-së.

“Po ashtu, nën udhëheqjen e tij, FIFA ka ofruar mbështetje të madhe për FFK-në përmes programit “FIFA Forëard”, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e të rinjve dhe ngritjen profesionale të futbollit në Kosovë. Ky vendim i juaji, znj. presidente, forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet.  Dekorimi i presidentit Infantino është një vlerësim që shkon përtej individit dhe është një nder edhe për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm. Në emër të FFK-së, edhe një herë dua të ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sportit dhe për vizionin tuaj që Kosova të përfaqësohet me dinjitet në çdo fushë, përfshirë edhe atë të futbollit”, theksohet në letrën e Ademit, transmeton rtk.