Rritet me 25.4% numri i shtetasve të huaj që jetojnë në Shqipëri. Mbi 18 mijë raste janë trajtuar për Leje Unike qëndrimi dhe pune, ndërsa turizmi, ndërtimi dhe tregtia kryesojnë kërkesën për punonjës të huaj. Tirana, Durrësi dhe Vlora mbeten qarqet me përqendrimin më të madh të punësimit të tyre.
Shqipëria po përjeton një ndryshim gradual në strukturën e tregut të punës, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë nga një vend tradicional emigracioni në një destinacion për shtetasit e huaj që kërkojnë mundësi punësimi dhe qëndrimi afatgjatë. Në fund të vitit 2025, numri i shtetasve të huaj me leje të vlefshme qëndrimi në vend arriti në 27,514 persona, duke shënuar një rritje prej 25.4% krahasuar me vitin 2024. Të dhënat administrative të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, të siguruara pranë Ministrisë së Brendshme, tregojnë se prania e shtetasve të huaj në Shqipëri po zgjerohet me ritme të konsiderueshme. Në vitin 2023, numri i tyre ishte 21,460 persona, ndërsa në vitin 2024 u rrit në 21,940. Vetëm gjatë vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi u shtua me 5,574 persona. Në raport me popullsinë rezidente, shtetasit e huaj me leje qëndrimi përfaqësonin rreth 1.16% të popullsisë në fund të vitit 2025, nga 0.92% një vit më parë.
Kosova, Italia dhe vendet aziatike kryesojnë origjinën e emigrantëve
Përbërja e komunitetit të huaj në Shqipëri tregon se vendi po tërheq gjithnjë e më shumë punonjës dhe rezidentë nga rajone të ndryshme të botës. Shtetasit e Kosovës përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve me leje qëndrimi, me 6,076 persona. Pas tyre renditen italianët me 3,776 persona, India me 2,399, Filipinet me 2,213, Egjipti me 2,007 dhe Turqia me 1,862 persona. Veçanërisht bie në sy prania e shtetasve nga India, Filipinet dhe Egjipti, të cilët së bashku përbëjnë 6,619 persona. Ky zhvillim pasqyron zgjerimin e burimeve të rekrutimit të bizneseve shqiptare, të cilat po orientohen drejt tregjeve ndërkombëtare për të plotësuar nevojat për fuqi punëtore. Mungesa e punonjësve në disa profesione, emigrimi i vazhdueshëm i shqiptarëve dhe zgjerimi i aktivitetit ekonomik po krijojnë një kërkesë të re për punësimin e shtetasve të huaj.
Lejet Unike rriten me 61.8% brenda një viti
Një tjetër tregues i rëndësishëm i këtij transformimi është numri i rasteve të trajtuara për Leje Unike qëndrimi dhe pune. Sipas të dhënave të raportuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe institucionet përgjegjëse, gjatë vitit 2025 janë trajtuar 18,156 raste për Leje Unike, nga 11,224 në vitin 2024 dhe 9,825 në vitin 2023. Krahasuar me një vit më parë, numri i rasteve është rritur me 61.8%, ndërsa në raport me vitin 2023 zgjerimi arrin në 84.8%. Rritja e ndjeshme tregon se punësimi i shtetasve të huaj po merr një peshë gjithnjë e më të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Krahas nevojave të bizneseve për punonjës, ky zhvillim lidhet edhe me formalizimin e marrëdhënieve të punës dhe përdorimin më të gjerë të procedurave administrative për punësimin e të huajve.
Turizmi, ndërtimi dhe tregtia thithin pjesën më të madhe të punonjësve të huaj
Kërkesa për punonjës të huaj është përqendruar kryesisht në sektorët ku bizneset kanë nevojë për numër të lartë punonjësish dhe ku oferta vendase nuk arrin të përmbushë kërkesat e tregut. Sipas shpërndarjes sektoriale të Lejeve Unike të miratuara gjatë vitit 2025, aktivitetet e tjera të shërbimit kryesojnë me 3,210 punonjës, ose rreth 18% të totalit. Në vendin e dytë renditet akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 2,789 leje, që përfaqësojnë rreth 15% të totalit. Ky sektor lidhet drejtpërdrejt me turizmin, i cili ka zgjeruar kapacitetet akomoduese dhe aktivitetin e strukturave të hotelerisë dhe gastronomisë. Ndërtimi vijon me 2,635 leje të miratuara, ose rreth 15%, ndërsa tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, regjistron 2,068 leje, ose rreth 11%. Në total, këta katër sektorë përfaqësojnë 10,702 leje të miratuara, afërsisht 59% të rasteve të trajtuara gjatë vitit 2025. Shifrat tregojnë se punësimi i të huajve nuk është më një fenomen i kufizuar në disa aktivitete të veçanta, por po shtrihet në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, veçanërisht në ato që kanë zgjeruar aktivitetin dhe përballen me mungesa të vazhdueshme të punonjësve.
Tirana përqendron 43.8% të të huajve, Durrësi dhe Vlora rrisin kërkesën
Përqendrimi territorial i shtetasve të huaj mbetet më i lartë në kryeqytet. Qarku i Tiranës përfaqëson 43.8% të të gjithë personave me leje qëndrimi në Shqipëri. Edhe për rastet e trajtuara për Leje Unike gjatë vitit 2025, Tirana kryeson me 7,609 raste, nga 4,207 që ishin regjistruar në vitin 2023. Pas kryeqytetit renditet Durrësi me 3,415 raste të trajtuara, duke shënuar një rritje prej 78.9% krahasuar me vitin 2024. Vlora zë vendin e tretë me 2,652 raste dhe një rritje prej 121.9%, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe kërkesën për punonjës në sektorët e lidhur me turizmin. Në qarqet e tjera, Fieri regjistron 1,003 raste, Lezha 872, Shkodra 836 dhe Elbasani 804. Ndërsa numrat më të ulët evidentohen në Gjirokastër me 299 raste, Korçë me 219, Berat me 189, Kukës me 187 dhe Dibër me 71 raste.
Kukësi, Gjirokastra dhe Vlora me rritjet më të larta
Pavarësisht se Tirana dhe Durrësi kryesojnë për nga numri absolut i rasteve, ritmet më të larta të rritjes gjatë vitit 2025 janë regjistruar në qarqe të tjera. Kukësi kryeson me një rritje prej 128% krahasuar me vitin 2024, i ndjekur nga Gjirokastra me 126.5% dhe Vlora me 121.9%. Rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Lezhë, me 100.5%, Korçë me 84%, Elbasan me 83.6% dhe Fier me 75%. Këto të dhëna tregojnë se kërkesa për punonjës të huaj po shtrihet gradualisht edhe përtej qendrave kryesore ekonomike dhe turistike të vendit.
Një realitet i ri për tregun shqiptar të punës
Rritja e numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi dhe zgjerimi i rasteve për Leje Unike tregojnë se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimeve migratore. Ndërsa emigrimi i fuqisë punëtore shqiptare vijon të ndikojë në ofertën e tregut vendas, bizneset po orientohen gjithnjë e më shumë drejt rekrutimit nga jashtë për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit. Turizmi, ndërtimi, tregtia dhe shërbimet janë aktualisht ndër sektorët ku kjo tendencë është më e dukshme. Nëse ritmet e rritjes vijojnë, punësimi i shtetasve të huaj pritet të bëhet një element gjithnjë e më i rëndësishëm në funksionimin e tregut shqiptar të punës. Shqipëria, dikur një vend nga i cili largoheshin mijëra punonjës në kërkim të mundësive jashtë kufijve, po bëhet gradualisht edhe një vend ku bizneset kërkojnë punonjës nga tregjet ndërkombëtare, transmeton ekofin.al, gshqiptare. (Foto ilustrim)










