Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që pas 12 vitesh nga nisja e Procesit të Berlinit të rishikohet dhe të rikonfigurohet mënyra se si funksionon kjo nismë rajonale. Deklaratat e tij u bënë në Forumin për Shoqëri Civile dhe Think Tank-un 2026, i cili po mbahet në Prishtinë nën moton “Prova, jo premtime”. Në fjalën e tij, Kurti tha se Kosova ka zgjedhur të udhëheqë përmes shembullit, duke veçuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si disa prej fushave ku, sipas tij, vendi ka bërë përparim.
“Kur më shumë e gjithmonë vende po shkojnë drejt autokracisë, Kosova është bërë një prej demokracive më të forta në Ballkanin Perëndimor e përtej, duke fuqizuar sundimin e ligjit, duke luftuar korrupsionin dhe duke mbrojtur liritë fundamentale”, tha Kurti.
Kurti: Procesi i Berlinit duhet të përshtatet me realitetin e ri
Kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi se Procesi i Berlinit duhet të fokusohet më shumë në rezultate konkrete dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve të rajonit. Ai foli për angazhimin e Kosovës në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe për marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s, duke përmendur edhe çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve.
“Ne kemi vepruar të parët: qytetarët e Bosnjës mund të vijnë me karta të identitetit, kurse Bosnja duhet ende ta ratifikojë marrëveshjen tonë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, rajoni ende nuk e ka përfunduar ciklin e plotë të lëvizshmërisë. Ai përmendi si çështje që kërkojnë zgjidhje njohjen e diplomave, lejet e punës dhe të drejtat sociale.
Të drejtat e komuniteteve, pjesë e rëndësishme e procesit
Kurti kërkoi gjithashtu që të drejtat e komuniteteve pakicë të marrin një rol më të madh në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Minoritetet duhet ta kenë vendin e vet në Procesin e Berlinit me standarde të përbashkëta për gjithë rajonin: prej vendeve të garantuara në institucione, tek përdorimi i gjuhës së tyre amtare në institucione, deri te ruajtja e kulturës dhe traditave. Kosova është e gatshme me kontribuar për këtë punë”, tha ai. Një pjesë e fjalës së kryeministrit iu kushtua edhe rolit të shoqërisë civile dhe mediave në luftën kundër keqinformimit. Kurti vlerësoi se gazetarët dhe shoqëria civile kanë rol të rëndësishëm në ofrimin e fakteve, nxitjen e mendimit kritik dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.
Kosova dhe rruga drejt BE-së
Duke folur për integrimin evropian, Kurti përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe tha se, pavarësisht zhvillimeve që ai i cilësoi si pozitive në ekonomi, punësim dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së, Kosova vazhdon të jetë pa statusin e vendit kandidat.
“Po megjithëkëtë, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit në BE dhe prandaj slogani i këtij forumi është ‘Prova, jo premtime’”, u shpreh Kurti. Ai tha se pret që rekomandimet e Forumit për Shoqëri Civile t’u përcillen liderëve rajonalë në Podgoricë dhe se Kosova do t’i marrë ato në konsideratë.
“Ballkani Perëndimor nuk duhet parë më si problem”
Në hapje të Forumit për Shoqëri Civile dhe Think Tank-un 2026, Albana Zeneli, bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Atlantik, theksoi nevojën që zotimet për integrimin evropian të shoqërohen me veprime konkrete.
“Pyetja sot nuk është nëse ekzistojnë premtimet, ato janë aty, mirëpo pyetja është ku janë veprimet”, tha Zeneli. Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të shihet si pjesë e zgjidhjes evropiane dhe jo vetëm si një sfidë për Bashkimin Evropian.
“Ballkani Perëndimor nuk mundet me u parë më si një problem, sepse duhet me u parë si një pjesë e zgjidhjes evropiane”, tha ajo.
Sipas saj, Procesi i Berlinit nuk synon ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së, por ta bëjë integrimin më të prekshëm për qytetarët e rajonit.
“Qëllimi nuk ka qenë kurrë me e zëvendësuar zgjerimin, por për me e bërë integrimin më të prekshëm për njerëzit që jetojnë në rajon”, theksoi Zeneli.
Në forum u nënvizua gjithashtu se përgjegjësia për avancimin e integrimit evropian është e përbashkët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
“Qeveritë duhet me i ofruar reformat që janë zotuar se do t’i bëjnë, dhe kur t’i kenë mbaruar, duhet edhe Bashkimi Evropian që t’u vijë afër, që t’i ndihmojë procesit të zgjerimit”, tha Zeneli. Forumi në Prishtinë po zhvillohet në një kohë kur Procesi i Berlinit dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor mbeten në fokus të diskutimeve për të ardhmen e rajonit. Motoja “Prova, jo premtime” synon të vendosë në qendër të debatit zbatimin konkret të zotimeve, reformave dhe marrëveshjeve të arritura ndër vite, transmeton rtk.










