POSTIMET E FUNDIT

Shqipëria mikpret Konferencën Ndërkombëtare të Kartës Rinore Europiane

Shqipëria ka mirëpritur për herë të parë Konferencën Ndërkombëtare të Kartës Rinore Europiane, një ngjarje që bashkon institucione, organizata dhe partnerë nga e gjithë Europa për të diskutuar mbi fuqizimin e të rinjve, mobilitetin, edukimin dhe mundësitë që krijohen përmes Kartës Rinore Europiane.

Në konferencë mori pjesë ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi organizimin e këtij eventi në Shqipëri si një vlerësim për rolin në rritje që vendi po luan në nismat europiane të dedikuara për të rinjtë.

Gonxhja theksoi rëndësinë e investimit te rinia si një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin e shoqërisë dhe integrimin europian të vendit. Ai vlerësoi Kartën Rinore Europiane si një instrument të rëndësishëm që u mundëson të rinjve akses më të gjerë në shërbime, aktivitete kulturore, arsimore dhe profesionale, duke nxitur pjesëmarrjen aktive në jetën publike dhe qytetarinë europiane.

“Situata aktuale është medalje demokracie për qeverisjen e sotme, sikundër është një mundësi e re për të ritreguar vlerat tona dhe besnikërinë tonë për Shqipërinë. Që Shqipëria pret për herë të parë Konferencën e Kartës Rinore Europiane përbën një moment të rëndësishëm për vendin tonë dhe një vlerësim të rolit në rritje që Shqipëria po luan në nismat europiane të dedikuara për të rinjtë. Prania e mbi 100 pjesëmarrësve nga më shumë se 30 vende europiane e shndërron këtë konferencë në një platformë të rëndësishme dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mbi politikat dhe mundësitë për të rinjtë në Europë. Organizimi i kësaj konference në Shqipëri është një dëshmi e besimit që partnerët europianë kanë ndaj institucioneve dhe organizatave shqiptare, si dhe një mundësi për të forcuar më tej lidhjet me rrjetet rinore europiane”, tha Gonxhja.

Ministri nënvizoi se Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, falë potencialit, mikpritjes dhe kapaciteteve në rritje.

Duke folur për rolin e të rinjve në shoqëri, Gonxhja theksoi se ata përfaqësojnë një nga asetet më të çmuara për të ardhmen e vendit dhe të Europës, duke sjellë energji, kreativitet dhe ide të reja për përballimin e sfidave të kohës.

“Shqipëria po afirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i rëndësishëm për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendjen e partnerëve përmes potencialit të saj, mikpritjes dhe kapaciteteve në rritje. Vendi ynë dëshmon se mund të presë me sukses aktivitete të nivelit të lartë, duke krijuar hapësira për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash mes pjesëmarrësve nga vende të ndryshme. Për ne, organizimi i ngjarjeve, përtej dimensionit institucional, është një mundësi për të prezantuar Shqipërinë si një vend modern, të hapur dhe europian në shpirt e në veprim, si dhe për të promovuar vlerat tona të mikpritjes dhe kulturës”, tha ai.

Në përmbyllje, ai vlerësoi Kartën Rinore Europiane si një mekanizëm që promovon mobilitetin, përfshirjen dhe shkëmbimin ndërkulturor, duke ndihmuar të rinjtë të krijojnë lidhje përtej kufijve dhe të ndërtojnë një identitet europian të bazuar në vlera të përbashkëta.

“Rinia është një nga asetet më të çmuara të shoqërisë, të Europës në rastin tonë, dhe një faktor kyç për emancipimin dhe përparimin e saj. Përkushtimi tek të rinjtë nuk është vetëm një përgjegjësi sociale, por një domosdoshmëri strategjike për ndërtimin e shoqërive më të forta, më gjithëpërfshirëse dhe më inovative. Të rinjtë sjellin ide të reja, energji, kreativitet dhe një perspektivë të domosdoshme për përballimin e sfidave që vendi ynë dhe Europa has sot dhe që do të përballet në të ardhmen. Fuqizimi i të rinjve do të thotë t’u japim atyre mjetet dhe hapësirat për të kontribuar në jetën publike, për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të qenë pjesë aktive e proceseve që formësojnë të ardhmen, si legjitimitet dhe si trashëgimi”, tha ai.

Konferenca mblodhi mbi 100 pjesëmarrës nga më shumë se 30 vende europiane, duke e kthyer Tiranën në një platformë të rëndësishme dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mbi politikat rinore dhe mundësitë që ofron Europa për brezat e rinj, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB