Shqipëria mbyll përgatitjet, kuqezinjtë gati për duelin me San Marinon
Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e dytë në Nations League ndaj San Marinos, e cila do të zhvillohet në “San Marino Stadium”.
Kuqezinjtë zhvilluan paraditen e së hënës seancën e fundit stërvitore në Tiranë, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran, skuadra u fokusua në përgatitjen fizike dhe në aspektet taktike të sfidës së radhës.
Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, gjendja e skuadrës është e mirë dhe grupi është gati për përballjen me San Marinon. I vetmi futbollist që nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit është Klisman Cake, i cili mungoi edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Bjellorusisë.
FSHF ka bërë të ditur se gjendja e Cake është në përmirësim dhe, sipas parashikimeve, mbrojtësi pritet të rikthehet për ndeshjen ndaj Finlandës.
Simoni bashkohet me U21
Ndërkohë, portieri Simon Simoni nuk ka udhëtuar me ekipin A drejt San Marinos. Ai ka qëndruar në Tiranë për t’iu bashkuar Kombëtares U21, e cila do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Ukrainës U21.
Pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për sfidën e së martës, ku Shqipëria synon të vijojë ecurinë pozitive pas fitores së marrë ndaj Bjellorusisë.
Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje me moral të lartë, pasi në ndeshjen e parë arritën të marrin tri pikët në “Air Albania Stadium”. Tashmë, skuadra shqiptare kërkon një tjetër rezultat pozitiv për të vazhduar me ritëm të mirë në Nations League.
Sfida ndaj San Marinos do të luhet të martën në mbrëmje në “San Marino Stadium” dhe do të transmetohet në Digitalb./TCH










