San Marino – Kombëtarja shqiptare zbret sonte në fushë për ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, teksa do të përballet në transfertë me San Marinon. Sfida është programuar të nisë në orën 20:45 dhe kuqezinjtë synojnë të marrin tri pikët e radhës pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”. Në letër, Shqipëria shihet si favorite, por stafi teknik kërkon përqendrim maksimal nga skuadra. Objektivi kryesor mbetet fitorja, ndërsa një tjetër synim është që kuqezinjtë të shënojnë sa më shumë gola, pasi golavarazhi mund të rezultojë vendimtar në llogaritjet e fundit të grupit.
Finlanda vendos presionin
Rivalja kryesore e Shqipërisë për kreun e grupit, Finlanda, ka arritur një fitore të thellë 7-0 ndaj San Marinos. Rezultati i finlandezëve e bën edhe më të rëndësishëm diferencën e golave për kuqezinjtë. Për këtë arsye, Shqipëria nuk kërkon vetëm tri pikët, por edhe një paraqitje bindëse në aspektin ofensiv. Çdo gol mund të ketë peshë në garën për vendin e parë. Trajneri Rolando Maran pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar, si për të menaxhuar ngarkesën e lojtarëve, ashtu edhe për t’u dhënë hapësirë futbollistëve të tjerë.
Megjithatë, ndryshimet nuk e prekin objektivin kryesor të kuqezinjve: fitoren.
Sina pritet të debutojë me Kombëtaren
Në portë pritet të jetë sërish Etrit Berisha, ndërsa në mbrojtje mund të ketë disa ndryshime. Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj mund ta nisin ndeshjen nga stoli, ndërsa në formacion pritet të marrin vendet e tyre Samuele Sina dhe Mario Mitaj, sipas planifikimit të stafit teknik. Për Sinën, një aktivizim do të sillte edhe debutimin me fanellën e Kombëtares shqiptare. Në qendër të mbrojtjes pritet të vazhdojnë kapiteni Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli. Në mesfushë, Ylber Ramadani mund të pushojë, me Klaus Gjasulën që pritet të marrë vendin e tij përkrah Kristjan Asllanit.
Muçi kërkon të vazhdojë formën e mirë
Një tjetër lojtar që pritet të ketë rol të rëndësishëm është Ernest Muçi. Sulmuesi i kuqezinjve vjen pas një paraqitjeje pozitive ndaj Bjellorusisë, ku arriti të gjejë edhe rrugën e rrjetës. Në krahun e majtë të sulmit, Arbër Hoxha mund t’ia lërë vendin Ernest Mehemtit, ndërsa në majë të sulmit pritet të startojë Rey Manaj, i cili shihet përpara Mirlind Dakut në preferencat e stafit teknik.
Synimi: tri pikë dhe sa më shumë gola
Shqipëria hyn në këtë përballje me objektiv të qartë: të marrë tri pikët dhe të vazhdojë garën për kreun e grupit. Përballë një kundërshtari që në letër është më i dobët, kuqezinjtë duhet të tregojnë seriozitet që nga minuta e parë. Përtej fitores, rezultati i thellë mund të ketë rëndësi në vazhdim të kompeticionit, veçanërisht pas fitores 7-0 të Finlandës. 90 minutat në San Marino pritet të jenë një tjetër provë për Shqipërinë, e cila kërkon të konfirmojë startin pozitiv dhe të mbajë hapin me Finlandën në luftën për vendin e parë, transmeton rtk.










