Prishtinë – E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, i cili pritet të përfundojë mandatin e tij në krye të misionit paqeruajtës gjatë muajit të ardhshëm. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe KFOR-it për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Prattipati e ka falënderuar gjeneralmajorin Ulutaş për udhëheqjen e tij të KFOR-it dhe për angazhimin gjatë mandatit në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur misionin e KFOR-it në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.
KFOR-i, misioni i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten një prej kontribuuesve kryesorë të misionit. Takimi mes Prattipatit dhe Ulutaş vjen në prag të përfundimit të mandatit të gjeneralmajorit turk në krye të KFOR-it dhe në një periudhë kur vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë vazhdon të jetë e përqendruar te siguria dhe stabiliteti në Kosovë dhe rajon, transmeton rtk.










