Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një trajtim të ri të synuar për pacientët me kancer pankreatik metastatik, një prej formave më agresive dhe më të vështira për t’u trajtuar të sëmundjes.
Ilaçi, i quajtur daraxonrasib dhe që do të tregtohet me emrin Rasonque, është zhvilluar nga kompania Revolution Medicines. Ai merret në formën e një tablete një herë në ditë dhe synon proteinën RAS, e cila luan një rol të rëndësishëm në rritjen e tumoreve.
Miratimi bazohet në rezultatet e një studimi klinik me rreth 500 pacientë me adenokarcinomë pankreatike metastatike, të cilët kishin marrë më parë trajtim sistemik. Rezultatet treguan se pacientët që morën daraxonrasib kishin një mbijetesë mesatare prej më shumë se 13 muajsh, krahasuar me rreth 6.7 muaj për pacientët që morën kimioterapi standarde. Pra, trajtimi i ri pothuajse e dyfishoi kohën mesatare të mbijetesës.
Edhe koha gjatë së cilës sëmundja nuk përparoi ishte më e gjatë te pacientët që morën daraxonrasib. Sipas të dhënave të studimit, mbijetesa mesatare pa përparim të sëmundjes ishte rreth 7.2 muaj, kundrejt 3.6 muajve te pacientët që iu nënshtruan kimioterapisë standarde.
“Ky miratim sjell një mundësi të re trajtimi dhe shpresë të re për pacientët me kancer pankreatik metastatik”, u shpreh Dr. Brian Wolpin, drejtor i Qendrës së Familjes Hale për Kërkime mbi Kancerin e Pankreasit në Dana-Farber Cancer Institute.
Kanceri i pankreasit konsiderohet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse, pasi shpesh diagnostikohet në një fazë të avancuar dhe përparon me shpejtësi. Adenokarcinoma pankreatike përbën pjesën dërrmuese të rasteve të kancerit të pankreasit ekzokrin.
FDA e kishte përfshirë më herët daraxonrasib në programet e përshpejtuara për trajtime premtuese të sëmundjeve të rënda. Vendimi i fundit shënon një hap të rëndësishëm në kërkimin për trajtime që synojnë drejtpërdrejt mekanizmat molekularë që nxisin rritjen e tumorit.
Për pacientët që morën pjesë në provat klinike, trajtimi solli edhe raste të dukshme të tkurrjes së tumoreve. Një prej tyre tregoi se një tumor në mëlçi, i përhapur nga pankreasi, u zvogëlua me rreth 50% pas nisjes së trajtimit.
Megjithatë, ilaçi mund të shkaktojë edhe efekte anësore, ndër të cilat skuqje të lëkurës, diarre, të përziera, lodhje, të vjella, dhimbje abdominale, ulje të oreksit dhe ënjtje.
Miratimi i daraxonrasib konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për pacientët me kancer pankreatik metastatik, duke ofruar një alternativë të re trajtimi në një sëmundje ku opsionet terapeutike kanë qenë historikisht të kufizuara, transmeton abcnewsal.










