Mësuese Valbona Roqi: “Gjuha amtare është pjesë e identitetit dhe një trashëgimi që duhet ruajtur e përcjellë brez pas brezi”
Intervistoi: Sokol Paja
1. E nderuar mësuese Valbona cili është historiku i Shkollës Shqipe në Rosenheim, Gjermani?
Shkolla Shqipe në Rosenheim dhe në rrethinat e saj i ka fillimet që nga viti 2014, kur u bënë të mundura hapjet e para në disa klasa. Një formë më e organizuar mori në vitin 2017, me krijimin për herë të parë të shoqatës së LAPSH-it në Bavari.
Sigurisht, rrugëtimi nuk ka qenë gjithmonë i lehtë. Në fillim kemi pasur vështirësi për organizimin e mësimit, gjetjen e hapësirave dhe sigurimin e një numri të mjaftueshëm nxënësish. Por me shumë përkushtim të mësuesve, mbështetjen e prindërve dhe të komunitetit shqiptar, shkolla është rritur dhe është zhvilluar gradualisht.
Një rol shumë të rëndësishëm në këtë rrugëtim ka luajtur Shoqata “Shqiponja”. Që nga krijimi i saj e deri më sot, ajo ka qenë mbështetësja kryesore e të dyja klasave në Rosenheim dhe Kolbermoor, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në organizimin e aktiviteteve kombëtare, kulturore dhe sportive.
Klasat tona kanë marrë pjesë edhe në Spartakiada sportive të organizuara në Graz të Austrisë. Për fëmijët këto janë përvoja shumë të bukura, sepse ata takojnë bashkëmoshatarë shqiptarë nga vende të ndryshme, përfaqësojnë shkollën dhe komunitetin tonë dhe krijojnë miqësi të reja. Këto aktivitete tregojnë se gjuha, kultura dhe sporti mund të na bashkojnë shumë bukur.
Për mua, si mësuese, është shumë e rëndësishme që fëmija të mos mësojë vetëm të lexojë e të shkruajë shqip, por të ndiejë krenari për gjuhën dhe prejardhjen e tij. Shkolla Shqipe është një urë që lidh vendin ku fëmijët jetojnë sot me rrënjët e tyre shqiptare.
Klasat tona kanë marrë pjesë tri herë në Festivalin Ndërkombëtar të Përrallave, që organizohet çdo vit në Mynih, ku fëmijët kanë mundësinë të tregojnë përralla në gjuhën shqipe.
Në dhjetor të vitit 2022 u përfaqësuam me pjesën “Dheu është flori”, në dhjetor të vitit 2023 me “Ariu që kërkonte babain” dhe në dhjetor të vitit 2025 me “Kësulëkuqja”.
Organizojmë gjithashtu aktivitete me pjesë teatrale, valle dhe këngë për festat tona kombëtare. Këto aktivitete janë pasqyruar edhe në televizionet e Kosovës dhe në RTSH, ku moderatorja Ketrin Gjocaj e përcolli shumë bukur punën e fëmijëve tanë dhe të Shoqatës “Shqiponja”. Për mua, çdo aktivitet i tillë është më shumë se një festë. Është një mundësi që fëmijët të flasin shqip, të dalin para publikut, të shfaqin talentin e tyre dhe, mbi të gjitha, të ndihen krenarë që janë shqiptarë.
2. Çfarë kurrikule mësimore përdorni dhe cila është thirrja juaj për prindërit shqiptarë?
Ne përdorim kurrikulën mësimore që është hartuar nga të dyja qeveritë tona shqiptare dhe përdorim librin Mëso Shqip në tre nivele, të botuar nga shtëpia botuese për diasporën. Por përveç librit, shumë e rëndësishme është edhe mënyra se si ua përcjellim fëmijëve gjuhën. Mundohemi që mësimi të jetë sa më i afërt, i kuptueshëm dhe të lidhet me jetën e tyre.
Një pjesë shumë e rëndësishme është bashkëpunimi me prindërit. Shkolla Shqipe nuk mund ta kryejë e vetme këtë mision. Ne kemi nevojë për familjen dhe për komunitetin.
Çdo prind duhet ta kuptojë se mësimi i shqipes nuk është thjesht një aktivitet shtesë. Është një investim në identitetin e fëmijës, në lidhjen e tij me familjen, me gjyshërit, me historinë dhe me rrënjët e veta. Prandaj, thirrja ime për prindërit shqiptarë në Rosenheim, Kolbermoor dhe rrethinë është shumë e thjeshtë: Flisni shqip me fëmijët tuaj! Lexoni shqip me ta! Dërgojini rregullisht në Shkollën Shqipe dhe bashkëpunoni me mësuesit!
3. Shkolla shqipe, a gjykoni se luan rolin e qendrës komunitare që bashkon, promovon dhe lidh më shumë shqiptarët?
Për mua, Shkolla Shqipe është shumë më tepër se një klasë ku zhvillohet mësimi. Ajo është një vend ku bashkohemi, ku njihemi dhe ku krijojmë lidhje me njëri-tjetrin. Dokumentimi i historisë së Shkollës Shqipe është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ruan kujtesën kolektive të komunitetit tonë. Për brezat e rinj që rriten në Gjermani, njohja e këtij rrugëtimi është një dëshmi e fortë që i lidh me rrënjët e tyre, me vendin e gjyshërve dhe stërgjyshërve.
Kur fëmijët mësojnë për punën, sakrificat, përkushtimin dhe dashurinë me të cilën janë hapur dhe janë mbajtur gjallë Shkollat Shqipe, kuptojnë se gjuha amtare është shumë më tepër se një mjet komunikimi. Ajo është pjesë e identitetit dhe një trashëgimi që duhet ruajtur e përcjellë brez pas brezi. Prandaj, Shkolla Shqipe është një qendër që bashkon, promovon kulturën tonë dhe na afron edhe më shumë si komunitet.
4. Si ka ndihmuar mësimi i gjuhës shqipe si formë e ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve ne Gjermani?
Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem me një emocion të veçantë që e përjetuam gjatë udhëtimit drejt atdheut. “Ne flasim shqip” ishte motoja më e bukur e fëmijëve tanë. Qëllimi i këtij udhëtimi nga Rosenheim dhe Kolbermoor në Shqipëri ishte pikërisht që ta lidhim mësimin me përjetimin, kulturën dhe me takimin me bashkëmoshatarët në atdhe.
Udhëtimi ynë filloi në Shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë, ku fëmijët tanë morën pjesë në një orë të Gjuhës Shqipe dhe një orë të Historisë. Më pas morëm pjesë në festën e Abetares, ku fëmijët e asaj shkolle festuan përfundimin e vitit të parë shkollor.
Një nga momentet më të veçanta ishte pritja në Presidencën e Republikës së Shqipërisë nga Presidenti z. Bajram Begaj, Zonja e Parë znj. Armanda Begaj dhe stafi i Presidencës. Fëmijët treguan detyrat e tyre dhe folën për sa të lumtur ishin që patën këtë mundësi shkëmbimi me fëmijët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri.
Aty e ndjemë shumë fort se, pavarësisht se ku lindim dhe ku jetojmë, gjuha që flasim na bashkon dhe na bën të ndihemi një familje.
Vizituam edhe Qendrën e Botimeve për Diasporën, ku drejtoresha znj. Mimoza Hysaj u tregoi fëmijëve se si punohet me shumë pasion për të krijuar libra sa më të bukur dhe të kuptueshëm për fëmijët e diasporës.
Dhe, sigurisht, nuk mund të largoheshim nga Shqipëria pa vizituar Krujën. Fëmijët vizituan Muzeun Kombëtar të Skënderbeut dhe panë nga afër atë që ne mësojmë në klasë për historinë dhe qëndresën e shqiptarëve. Ishte një moment shumë emocionues, sepse historia që kishin lexuar në libra tashmë ishte përpara syve të tyre.
Udhëtimit tonë i dha edhe më shumë bukuri pjesëmarrja në festën e 1 Qershorit, organizuar nga Presidenti i Shqipërisë. Fëmijët u njohën me shumë bashkëmoshatarë dhe ndoqën një program artistik të mrekullueshëm, të drejtuar me shumë dashuri nga moderatorja Ketrin Gjocaj.
Një tjetër moment shumë i veçantë ishte pritja e fëmijëve në shtëpitë e familjeve shqiptare. Ata jetuan nga afër mikpritjen shqiptare dhe krijuan lidhje me bashkëmoshatarët e tyre. Ishte një dëshmi e bukur se sa shumë mund të na bashkojë gjuha.
Unë, si mësuese, e kam përjetuar këtë udhëtim si një nga përvojat më të bukura të punës sime. Jam shumë mirënjohëse ndaj prindërve, Shoqatës “Shqiponja” dhe sponsorëve që e bënë të mundur.
Ky udhëtim na tregoi edhe një herë se gjuha nuk është vetëm ajo që mësojmë në libër. Gjuha është ajo që na çon te njerëzit tanë, te gjyshërit, te historia dhe te vendi ynë.
Prandaj, ruajtja e gjuhës fillon në familje. Prindërit kanë rolin kryesor. Fëmija duhet ta dëgjojë dhe ta përdorë shqipen çdo ditë. Mesazhi im është: Mos e lini shqipen vetëm për në Shkollën Shqipe. Flisni shqip në shtëpi, lexoni libra shqip dhe tregojuni fëmijëve historinë dhe traditat tona.
5. Si reagon shoqëria Gjermane, si pritet shkolla shqipe, si pritet mësimi shqip?
Shkolla Shqipe pritet mirë nga shoqëria gjermane, sepse shihet si një mundësi që fëmijët të ruajnë gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre, duke u integruar njëkohësisht në shoqërinë gjermane.
Edhe gjuha shqipe tashmë është pjesë e gjuhëve të prejardhjes që mbështeten në kuadër të politikave gjuhësore e arsimore në Bavari. Kjo tregon rëndësinë që i kushtohet shumëgjuhësisë dhe ruajtjes së gjuhëve të familjeve me prejardhje të ndryshme.
Bashkëpunimi me institucionet vendore dhe shoqatat shqiptare është shumë i rëndësishëm. Në këtë drejtim, edhe komuniteti shqiptar në Rosenheim dhe Kolbermoor ka dhënë një kontribut të madh.
Mbështetja e prindërve, shoqatave dhe familjeve shqiptare është ajo që e mban shkollën gjallë dhe na jep mundësi të bëjmë edhe më shumë për fëmijët. Kontributi më i madh është shumë i thjeshtë: t’i sjellim fëmijët rregullisht në Shkollën Shqipe, të bashkëpunojmë me mësuesit dhe ta flasim shqipen çdo ditë në familje.
6. Cilat janë vështirësitë në mësimdhënie për fëmijët me dy gjuhësi dhe projektet e zhvillimit të shkollës shqipe?
Vështirësia më e madhe është se fëmijët rriten në një mjedis dygjuhësh dhe, në shumicën e rasteve, gjermanishtja është gjuha që përdorin më shumë. Prandaj, kur vijnë në Shkollën Shqipe, kanë nivele të ndryshme në të folur, në lexim dhe në shkrim.
Kjo kërkon shumë durim, punë dhe, mbi të gjitha, përshtatje të mësimit për secilin fëmijë. Një sfidë tjetër është edhe koha, pasi mësimi shqip zhvillohet vetëm disa orë në javë. Megjithatë, ne përpiqemi që ato orë të jenë sa më të bukura dhe tërheqëse për fëmijët. Synimi ynë është që shkolla të zhvillohet më tej, të hapen mundësi të reja dhe të përfshijmë sa më shumë fëmijë.
7. Mësimi shqip, çfarë efekti ka pasur te fëmijët shqiptarë në rritjen e patriotizmit?
Mësimi i gjuhës shqipe ka një ndikim shumë të madh te fëmijët tanë. Kur ata mësojnë shqip, njohin më mirë historinë, kulturën dhe traditat e të parëve të tyre.
Por, mbi të gjitha, gjuha i afron me gjyshërit, me të afërmit dhe me njerëzit e tyre. Kur flasin të njëjtën gjuhë, komunikimi bëhet më i thjeshtë, më i ngrohtë dhe më i thellë. Edhe dashuria mes tyre shprehet më natyrshëm.
Kjo i bën fëmijët të ndihen krenarë për rrënjët e tyre dhe e forcon dashurinë për gjuhën dhe kombin shqiptar. Për mua, patriotizmi nuk është vetëm të flasësh për atdheun. Patriotizmi fillon duke e dashur dhe ruajtur gjuhën e të parëve tanë dhe duke ua përcjellë atë fëmijëve tanë.
8. Kush është mësuese Valbona Roqi?
Unë jam Valbona Roqi, e lindur, e rritur dhe e arsimuar në Shqipëri. Kam përfunduar Akademinë e Sporteve në Tiranë dhe kam punuar si mësuese në Gjimnazin “Myslym Keta” në Kombinat deri në vitin 2002. Në Tiranë kam pasur edhe një përvojë shumë të rëndësishme profesionale, duke punuar me Sorosin.
Prej 26 vitesh jetoj dhe punoj në Gjermani, ku kam vazhduar të punoj gjithmonë në fushën e arsimit dhe të sportit. Aktualisht jam mësuese e edukimit fizik në shkollat fillore dhe 9-vjeçare në Rosenheim dhe Kolbermoor. Gjithashtu punoj në një shkollë sportive për fëmijë dhe prej shumë vitesh jam trajnere basketbolli. Pra, puna me fëmijët dhe edukimi i tyre kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës sime profesionale.
Krahas kësaj, që nga krijimi i LAPSH-it në Bavari, jam angazhuar edhe në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe jap mësim në dy klasat në Rosenheim dhe Kolbermoor.
Gjatë gjithë përvojës sime profesionale kam kuptuar se puna me fëmijët kërkon shumë durim, përkushtim dhe mbi të gjitha dashuri. Për këtë arsye, edhe gjuhën shqipe jam përpjekur gjithmonë ta përcjell me pasion dhe ta bëj sa më të afërt dhe të dashur për fëmijët.
Një temë që e kam pasur gjithmonë shumë për zemër është dygjuhësia. Kam vënë re nga përvoja ime se familja ka një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës së fëmijës. Prandaj, mësuesi dhe prindi duhet të punojnë së bashku.
Jam gjithashtu një nënë krenare e dy fëmijëve, të lindur dhe të rritur në Gjermani. Vajza ime sapo ka përfunduar studimet për Arkitekturë dhe në temën e diplomës zgjodhi Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, duke e prezantuar me krenari historinë dhe prejardhjen e saj shqiptare. Djali im fillon studimet këtë vit. Të dy flasin shqip dhe e duan shumë Shqipërinë.
Kjo për mua është dëshmia më e bukur se gjuha mund të ruhet edhe larg atdheut, nëse në familje dhe në shkollë punojmë me dashuri dhe përkushtim.
Dhe do të vazhdoj me shumë dëshirë këtë punë. Do të jem veçanërisht e lumtur kur një ditë një mësuese e brezit të ri të marrë në dorë këtë mision në diasporë dhe ta vazhdojë me po atë dashuri për gjuhën shqipe. /GD










