Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, vizitoi kompleksin sportiv “Zafer Spor” në Bursa, ku u takua me Shaban Sadriun, birin e një familjeje shqiptare nga Lajçiqi i Kamenicës, i cili prej vitesh punon për edukimin e brezave të rinj dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në Turqi.
Një histori që nis me shpërnguljen e një familjeje shqiptare nga Lajçiqi i Kamenicës drejt Bursës në vitin 1971, sot është shndërruar në një shembull të veçantë të ruajtjes së gjuhës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatë. Gjatë vizitës së tij në Bursa, siç mëson helveticALforum.ch kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, pati një takim me Shaban Sadriun, djalin e nallbanit të njohur Shaip Sadriu, familja e të cilit u zhvendos në Turqi më shumë se pesë dekada më parë. Sadriu sot drejton klubin dhe shkollën e futbollit “Zafer Spor”, një qendër sportive që mbledh mbi 250 fëmijë dhe të rinj.

Një pjesë e madhe e tyre janë me prejardhje shqiptare, ndërsa kompleksi është shndërruar në një pikë të rëndësishme takimi për komunitetin shqiptar dhe atë ballkanik në Bursa. Përmes sportit, Shaban Sadriu ka ndërtuar një hapësirë që shkon përtej fushës së futbollit. Aty kultivohet dashuria për sportin, por njëkohësisht ruhet lidhja e brezave të rinj me gjuhën, traditën, kulturën dhe prejardhjen e tyre. Flamujt shqiptarë që valëviten në kompleksin e “Zafer Spor” janë një dëshmi e qartë e kësaj lidhjeje me rrënjët dhe e përkushtimit për të mos lejuar që identiteti kombëtar të zbehet me kalimin e brezave.
Kryetari Kadri Rahimaj, duke përshkruar takimin dhe vizitën, e ka vlerësuar punën e Sadriut si një shembull të jashtëzakonshëm të angazhimit të diasporës shqiptare.

“Një punë e jashtëzakonshme me brezin e ri që dëshmon se si sporti bëhet ura më e bukur e bashkimit dhe ruajtjes së identitetit në mërgatë”, është thelbi i mesazhit të kryetarit Rahimaj pas këtij takimi. Historia e Shaban Sadriut është një dëshmi se largimi nga vendlindja nuk nënkupton shkëputjen nga rrënjët. Përkundrazi, përmes punës, përkushtimit dhe edukimit të brezave të rinj, identiteti mund të ruhet dhe të përcillet edhe shumë larg vendit të origjinës.

Nga Lajçiqi i Kamenicës deri në Bursa, rrugëtimi i familjes Sadriu është shndërruar në një histori që lidh vendlindjen me mërgatën dhe sportin me identitetin, transmeton helveticALforum.ch.










