SHQIPËRI- Në Tiranë do të mbahet Samitit IV të Diasporës, në datat 13, 14 dhe 15 prill. Kryeministri Edi Rama u është drejtuar bashkëkombësve përtej kufijve, që të marrin pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm mbarëkombëtar.
Në mesazhin e dërguar nga Rama, thuhet se “samiti i prillit është hapësira ku do të diskutojmë se si ta kthejmë këtë stad të ri marrëdhënieje në një energji të re, për një motor të shtuar të zhvillimit të Shqipërisë.”
“Dija juaj në shoqëritë ku jetoni, përvoja juaj në çdo nivel të punës dhe lidhjet tuaja janë një pasuri e madhe e kombit tonë. Ju ftoj të jeni pjesë e Samitit të 4-t të Diasporës Shqiptare për të projektuar së bashku rolin tuaj në rrugëtimin drejt Shqipërisë 2030 në BE dhe Ju pres me mirënjohje për gjithçka bëtë, e me besim në gjithçka do të vazhdoni të bëni”, shkruan Kryeministri Rama për shqiptarët e diasporës. Sipas Ramës, shqiptarët e diasporës janë ndërtues aktivë të së ardhmes së atdheut tonë të përbashkët.
Letra e plotë:
Të dashur bashkëatdhetarë,
Në prill do të mblidhemi sërish në Samitin e 4-t të Diasporës Shqiptare. Ky ritakim nuk është thjesht një tjetër kuti në kalendarin e vendit, por një moment bashkëbisedimi e reflektimi, po edhe shprehjeje e mirënjohjes nga ana jonë, në një kapitull të ri të marrëdhënies mes nesh, pas një viti që shënoi një kthesë historike për demokracinë tonë.
Zgjedhjet që lamë pas treguan se Shqipëria nuk është më një vend me kufij të ngushtë gjeografikë, por një komb që merr frymë dhe vendos kudo ku rreh një zemër shqiptare. Për herë të parë, zëri juaj u konkretizua përmes votës suaj të drejtpërdrejtë. Dhe në atë votë, ishte e gjithë Shqipëria jashtë Shqipërisë: ishte forca e punëtorëve tanë që me djersë kanë ndërtuar jetë të reja dhe i kanë bërë më të mira jetët e të tjerëve. Ishte guximi i sipërmarrësve tanë të vegjël që nga ikanakë të dëshpëruar prej vendit të tyre janë kthyer në kontributorë të respektuar të vendeve që sot janë edhe të tyret. Ishte talenti i atyre që sot udhëheqin në frontet e reja të kohës së re të botës ku jetojmë.
Nga ata e ato që shërbejnë me dinjitet në çdo cep të botës, në timonin e një taksie në rrugët e metropoleve e deri në zyrat e kateve të epërme të shërbimeve, në auditorë ku jepet dija më e përparuar e në platformat e Inteligjencës Artificiale dhe ekonomisë e dijes, ju dëshmuat se kur vendi thërret, distanca nuk e asgjëson përgjegjësinë qytetare.
Pjesëmarrja juaj aq kuptimplotë i dha një legjitimitet të ri rrugëtimit tonë drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Ju treguat se pavarësisht nëse kontribuoni me krahë pune, me sipërmarrje modeste, me fashikuj leksionesh apo me kodet më të sofistikuara kompjuterike, dëshira për ta parë Shqipërinë të vazhdojë të bëjë përpara e të bëhet më në fund e barabartë mes të barabartësh në shtëpinë e Europës, është një forcë që na bashkon të gjithëve.
Ju nuk jeni më thjesht lekëdërgues bujarë e vëzhgues të kujdesshëm të Shqipërisë, por edhe ndërtues aktivë të së ardhmes së atdheut tonë të përbashkët.
Samiti i prillit është pikërisht hapësira ku do të diskutojmë se si ta kthejmë këtë stad të ri marrëdhënieje në një energji të re për një motor të shtuar të zhvillimit të Shqipërisë. Dija juaj në shoqëritë ku jetoni, përvoja juaj në çdo nivel të punës dhe lidhjet tuaja janë një pasuri e madhe e kombit tonë.
Ju ftoj të jeni pjesë e Samitit të 4-t të Diasporës Shqiptare për të projektuar së bashku rolin tuaj në rrugëtimin drejt Shqipërisë 2030 në BE dhe Ju pres me mirënjohje për gjithçka bëtë, e me besim në gjithçka do të vazhdoni të bëni.
Në pritje për t’u takuar, Edi Rama, transmeton abcnews.




