Ferit Hoxha çon përpara ndryshimet në shërbimin diplomatik. Denion Meidani propozohet për ambasador në Prishtinë, ndërsa Petrit Malaj pritet të marrë drejtimin e ambasadës shqiptare në Shkup. Në lëvizje edhe ambasadori në Londër, Uran Ferizi.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka avancuar procesin për ndryshimin e dy ambasadorëve shqiptarë në rajon. Bëhet fjalë për ambasadat e Shqipërisë në Shkup dhe Prishtinë, ku pritet të ketë një rokadë mes dy diplomatëve që aktualisht mbajnë këto poste.
Sipas raportimeve të Top Channel, më 9 tetor priten dy dëgjesa në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme, ku do të shqyrtohen kandidaturat për drejtimin e dy përfaqësive diplomatike.
Aktualisht ambasador në Shkup, Denion Meidani, pritet të paraqesë përpara komisionit platformën e tij për drejtimin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.
Në të njëjtën kohë, Petrit Malaj, i cili prej rreth tre vitesh shërben si ambasador i Shqipërisë në Kosovë, do të dëgjohet për kandidaturën e tij për ambasador në Shkup.
Ende pa shpjegime zyrtare për rokadën
Për momentin mbetet i paqartë relacioni shoqërues i ministrit Ferit Hoxha për këto dy propozime dhe arsyet konkrete që kanë çuar në vendimin për ndryshimin e ambasadorëve në dy prej përfaqësive më të rëndësishme diplomatike të Shqipërisë në rajon.
Ideja për këto lëvizje ishte bërë publike muaj më parë, ndërsa debati u rikthye në vëmendje gjatë muajit maj.
Në atë periudhë, ambasadori Denion Meidani u vu në qendër të raportimeve pas qëndrimit të tij në krah të protestave të studentëve në Shkup lidhur me zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Pas këtyre zhvillimeve, disa raportime mediatike sugjeruan se ministri Ferit Hoxha kishte marrë ankesa nga partia qeverisëse VMRO-DPMNE dhe aleati i saj shqiptar, VLEN, lidhur me qëndrimet dhe rolin e ambasadorit Meidani.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i mohoi këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara.
Në reagimin e saj, ministria argumentoi se vendimmarrja për emërimet dhe lëvizjet diplomatike bëhet në përputhje me legjislacionin dhe mbi bazën e analizave profesionale dhe institucionale.
Sipas institucionit, qëllimi i këtyre proceseve është përdorimi sa më efikas i burimeve njerëzore dhe përmbushja e prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë.
Lëvizje edhe në misionin në Vjenë
Rokada mes Shkupit dhe Prishtinës nuk është e vetmja lëvizje e fundit në diplomacinë shqiptare.
Javën e kaluar, në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme u zhvillua dëgjesa me ambasadorin e Shqipërisë në Londër, Uran Ferizi.
Ferizi është propozuar për të marrë drejtimin e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OSBE-së në Vjenë, duke i hapur kështu rrugë një tjetër ndryshimi në përfaqësitë diplomatike shqiptare. Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur emri i diplomatit që do të pasojë Uran Ferizin në postin e ambasadorit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Ndryshimet e njëpasnjëshme pritet të marrin formë përfundimtare pas përfundimit të procedurave parlamentare dhe institucionale, ndërsa vëmendja mbetet te argumentet që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të paraqesë për secilën prej këtyre lëvizjeve diplomatike.










