Një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë, i përbërë nga deputetët Milva Ekonomi, Antoneta Dhima dhe Kliti Hoti, mori pjesë në Klinikën Rajonale Parlamentare për Antikorrupsionin (Regional Parliamentary Anti-Corruption Peer Clinic), e zhvilluar nga data 24 deri më 26 shtator 2026 në Beçići të Malit të Zi. Aktiviteti u organizua nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në bashkëpunim me Parlamentin e Malit të Zi, me temë kryesore “Forcimin e integritetit parlamentar në vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Gjatë punimeve dyditore, përfaqësuesit e parlamenteve nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut zhvilluan diskutime praktike dhe ushtrime mbi identifikimin e pikave të dobëta në strukturat parlamentare. Fokus i veçantë iu kushtua metodologjisë së vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit në ligjbërje (corruption-proofing), kontrollit post-legjislativ (PLS) dhe rolit të organeve mbikëqyrëse në respektimin e kodeve të etikës.
Inovacionet ligjore të Shqipërisë
Gjatë sesioneve plenare, delegacioni shqiptar paraqiti hapat e ndërmarrë nga Kuvendi për përshtatjen e kuadrit ligjor me standardet evropiane, përfshirë ndryshimet e miratuara në Rregulloren e Kuvendit në janar 2025.
“Kuvendi ka ndërmarrë një paketë ligjore së fundmi si detyrime të rekomandimeve të GRECO-s, me miratimin e ligjit të ri të konfliktit të interesit, ligjit të lobimit dhe dy metodologjive CPL dhe PLS,” deklaroi deputetja Milva Ekonomi. Ajo nënvizoi se vlerësimi i rreziqeve që në fazën e projektligjeve dhe kontrolli ex-post janë instrumente thelbësore për rritjen e transparencës.
Nga ana e saj, deputetja Antoneta Dhima u fokusua te zbatimi i Kodit të Sjelljes së Deputetëve, duke kërkuar rregulla më të qarta dhe trajnim periodik për mënjanimin e konfliktit të interesit.
“Një Kod Sjelljeje bëhet efektiv kur çdo deputet, administrata parlamentare dhe organet përgjegjëse dinë çfarë duhet të bëjnë në një situatë konkrete,” theksoi Dhima.
Ndërkohë, deputeti Kliti Hoti ngriti çështjen e proporcionalitetit të masave disiplinore ndaj ligjvënësve, duke iu referuar edhe praktikave kushtetuese.
“Masat e parashikuara në Kodin e Sjelljes dhe Rregulloren e Kuvendit duhet të jenë në proporcionalitet me ushtrimin e funksionit kushtetues, duke garantuar ekuilibrin ndërmjet përgjegjshmërisë dhe mbrojtjes së mandatit parlamentar,” nënvizoi Hoti, duke theksuar pasojat që mund të sjellë pezullimi i gjatë i një deputeti.
Takimi u përmbyll me dakordësinë e pjesëmarrësve për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe për të harmonizuar më tej mekanizmat antikorrupsion përgjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, transmeton rtsh.










