Një grup kongresmenësh amerikanë, i udhëhequr nga Keith Self dhe i mbështetur nga Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që shpreh mbështetje të fuqishme për integrimin e Kosovës në NATO.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga zyra e kongresmenit Self, kjo nismë synon të theksojë rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, duke e konsideruar atë si një faktor kyç për stabilitetin në Evropën Juglindore.
Në tekstin e rezolutës theksohet se përparimi demokratik i Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe përkushtimi ndaj një shoqërie multietnike përbëjnë baza të forta për anëtarësim në NATO. Dokumenti nënvizon gjithashtu se në një klimë ku aktorë armiqësorë përpiqen të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancë do të shërbente si një mekanizëm i rëndësishëm parandalues ndaj përshkallëzimeve të mundshme.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të NATO-s. Megjithatë, mungesa e njohjes unanime brenda aleancës vazhdon të mbetet një pengesë kryesore për avancimin e saj drejt anëtarësimit të plotë.
Rezoluta vë në pah faktin se katër shtete anëtare të NATO-s—Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja—nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se NATO operon mbi bazën e konsensusit, kjo situatë përbën një pengesë të rëndësishme për përfshirjen e Kosovës në mekanizmat kyç si Partneriteti për Paqe dhe Plani i Veprimit për Anëtarësim.
Në këtë kontekst, rezoluta u bën thirrje këtyre vendeve që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke argumentuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për forcimin e arkitekturës së sigurisë në rajon dhe për mbylljen e një boshllëku strategjik në Evropën Juglindore.
Në deklaratën e tij, kongresmeni Self thekson se Kosova ka treguar përkushtim të vazhdueshëm ndaj stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit me vendet e NATO-s, por përparimi i saj është penguar nga mungesa e njohjes nga disa aleatë. Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuonte drejtpërdrejt në përballimin e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë. Sipas njoftimit, integrimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm një çështje rajonale, por edhe një interes strategjik për Shtetet e Bashkuara, duke forcuar sigurinë dhe stabilitetin në një nga zonat më të ndjeshme të kontinentit evropian, transmeton rtk.




