BallinaAtdheuRama: “Jam për të dhënë, jo për të marrë” – Shqipërinë e...

Rama: “Jam për të dhënë, jo për të marrë” – Shqipërinë e dua në BE brenda kësaj dekade

-

Tiranë – Kryeministri Edi Rama deklaroi se misioni i tij politik nuk lidhet me pasurimin personal, por me transformimin e Shqipërisë dhe forcimin e shtetit ligjor. Duke folur për drejtësinë, akuzat për korrupsion dhe përplasjet politike, Rama tha se gjatë karrierës së tij mund të ketë bërë gabime, por pretendoi se nuk e ka vendosur pasurinë apo interesin personal mbi ligjin.

“Mund të kem bërë gabime, por kurrë para pronës apo çfarëdo para ligjit nuk e kam përkulur bindjen që në këtë rrugë jam për të dhënë, jo për të marrë; jam për të bërë histori, jo për të vënë pasuri”, u shpreh Rama.

Kryeministri vijoi duke theksuar se synimi i tij është të lërë një gjurmë politike përmes ndryshimit të vendit dhe jo përmes përfitimeve personale.

“Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepat. Jam për të transformuar Shqipërinë dhe jo për të deformuar vetveten”, deklaroi ai.

“E dua Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade”

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së kryeministrit iu kushtua vizionit për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Rama tha se dëshiron që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe të funksionojë mbi bazën e shtetit ligjor dhe një drejtësie të pavarur nga pushteti politik.

“Unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartëve, në tryezat më të larta. E dua në BE brenda kësaj dekade, në shtet ligjor dhe me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie pas meje”, tha ai.

Në këtë kontekst, Rama e paraqiti pavarësinë e drejtësisë si një element të rëndësishëm për konsolidimin e institucioneve dhe integrimin europian të vendit.

Përplasja politike për drejtësinë

Kryeministri iu referua edhe kritikave të opozitës dhe akuzave për korrupsion ndaj qeverisë. Sipas Ramës, kundërshtarët e tij politikë po e përdorin çështjen e drejtësisë si një instrument për të goditur politikisht qeverinë dhe atë personalisht.

“Sot, kur kam dalë në këtë sallë, pikërisht tema e drejtësisë, të gjithë kundërshtarët kujtojnë se kanë shpikur bombën që do të hedhë përtokë Ramën, që na mbyti korrupsioni”, deklaroi ai.

Rama tha se akuzat e kundërshtarëve nuk mund të zhbëjnë atë që ai e konsideron si bilancin e qeverisjes së tij. Ai u shpreh se kritikat mund të përsëriten në media dhe në rrjetet sociale, por sipas tij ato nuk ndryshojnë atë që e cilësoi si “pastërtinë e luftës” së tij politike.

“Le ta hedhin atë bombë, le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë e darkë në ekranet televizive, le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale”, tha kryeministri.

Rama: Qeveria ka transformuar Shqipërinë

Në pjesën e fundit të fjalës së tij, kryeministri mbrojti bilancin e qeverisjes, duke argumentuar se Shqipëria ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë viteve të fundit.

Ai iu referua veçanërisht transformimit urban të Tiranës, duke deklaruar se qeveria e tij ka ndërmarrë një proces të gjerë ndryshimi në vend.

“E cila, duan, s’duan apo edhe kurrë mos ta dinë, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe po transformon Shqipërinë, duke e ringritur shtetin shqiptar drejt një maje, drejt një maje që nuk ka qenë kurrë”, deklaroi Rama.

Fjalimi i kryeministrit u përqendrua kështu në tri shtylla kryesore: mbrojtjen e bilancit të qeverisë, kundërshtimin e akuzave për korrupsion dhe objektivin për një Shqipëri të integruar në Bashkimin Europian, me një drejtësi të pavarur dhe shtet ligjor, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Nga shkolla fillore në të mesme: Rritet rreziku i stresit dhe...

0
Një studim i ri zviceran tregon se kalimi nga shkolla fillore në shkollën e mesme mund të shoqërohet me rritje të ndjeshme të simptomave...