POSTIMET E FUNDIT

PROGRAMI STRATEGJIK DHE ORIENTIMET E LIDERSHIPIT TË RI TË FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA” 2026-2030

Nga Dr. Elmi Berisha

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, si organizata më e vjetër dhe më prestigjioze e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe mbetet simbol i unitetit kombëtar, mbrojtjes së interesave shqiptare dhe forcimit të miqësisë së përhershme shqiptaro-amerikane.

Në kushtet e zhvillimeve të reja globale, të transformimeve politike, ekonomike, teknologjike dhe të sfidave gjeopolitike në rajonin tonë, edhe VATRA duhet të evoluojë, duke ruajtur traditën historike dhe duke ndërtuar një vizion modern për të ardhmen.

Lidershipi ynë ka filluar tashmë procesin e reformimit organizativ, të modernizimit të strukturave drejtuese dhe të ngritjes së standardeve të reja të menaxhimit institucional, me synimin që VATRA të jetë edhe më e fuqishme, më përfaqësuese dhe më me ndikim në jetën publike amerikane dhe shqiptare.

Vizioni ynë

VATRA e dekadës së ardhshme duhet të jetë:

• zëri më i fuqishëm institucional i shqiptarëve në SHBA;

• partner strategjik i institucioneve amerikane;

• urë lidhëse ndërmjet diasporës shqiptare dhe institucioneve të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare;

• qendër e mendimit strategjik (Think Tank) për çështjet kombëtare;

• promotor i investimeve, zhvillimit ekonomik, diplomacisë publike, shkencës dhe kulturës shqiptare.

Selia e re e VATRËS – një projekt historik

Një nga objektivat më të rëndësishme të mandatit tonë është realizimi i një projekti historik për Vatrën.

Aktualisht ndodhemi në fazën aktive të procedurave për sigurimin dhe blerjen e një lokacioni të ri, ku do të ndërtohet Selia moderne e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”.

Kjo seli do të projektohet sipas standardeve bashkëkohore dhe do të përfshijë:

• administratën qendrore të VATRËS;

• muzeun dhe arkivin historik të VATRËS;

• bibliotekën kombëtare shqiptaro-amerikane;

• sallën konferenciale dhe akademike;

• qendrën kulturore dhe rinore;

• hapësira për veprimtarinë e degëve;

• qendrën e studimeve strategjike (VATRA Think Tank);

• ambientet për promovimin e biznesit dhe investimeve shqiptaro-amerikane.

Ky projekt nuk është vetëm investim fizik, por investim për brezat e ardhshëm dhe për ruajtjen e trashëgimisë historike të VATRËS.

Prioritetet strategjike 2026–2030

1. Reforma organizative

• Modernizimi i strukturave drejtuese.

• Digjitalizimi i administratës.

• Transparencë dhe llogaridhënie.

2. Aktivizimi i brezit të ri

Do të ndërtojmë një VATËR të hapur për gjeneratat e reja shqiptaro-amerikane.

Synimi ynë është që Think Tank-u i VATRËS të përbëhet nga profesionistë të rinj të diplomuar në universitetet më prestigjioze amerikane në fushat e diplomacisë, ekonomisë, financave, sigurisë, teknologjisë, shëndetësisë, drejtësisë dhe komunikimit publik.

Veçanërisht do të inkurajojmë pjesëmarrjen aktive të grave dhe vajzave shqiptaro-amerikane në strukturat drejtuese të Federatës.

3. Forcimi i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Do të intensifikojmë bashkëpunimin me:

• Kongresin Amerikan;

• Senatin;

• Departamentin e Shtetit;

• administratën federale;

• institucionet akademike;

• komunitetin e biznesit amerikan;

• organizatat strategjike partnere.

4. Bashkëpunimi mbarëkombëtar

VATRA do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet legjitime të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe Çamëri, duke ruajtur gjithmonë neutralitetin politik dhe misionin e saj gjithëkombëtar.

5. Diplomacia ekonomike

Një fokus i veçantë do t’i kushtohet:

• promovimit të investimeve amerikane në trojet shqiptare;

• lidhjes së komunitetit të biznesit shqiptaro-amerikan me institucionet ekonomike shqiptare;

• krijimit të forumeve ekonomike dhe investive;

• mbështetjes së sipërmarrjes shqiptare.

6. Arsimi, shkenca dhe kultura

Do të ndërtojmë partneritete të reja ndërmjet universiteteve amerikane dhe institucioneve akademike shqiptare, duke mbështetur kërkimin shkencor, shkëmbimet akademike dhe zhvillimin profesional të të rinjve shqiptarë.

7. Ruajtja e identitetit kombëtar

Do të vazhdojmë mbështetjen për:

• shkollat shqipe;

• promovimin e gjuhës shqipe;

• trashëgiminë kulturore;

• botimet e “Diellit”;

• aktivitetet kulturore dhe historike të komunitetit.

Mesazhi ynë për periudhën vijuese

VATRA hyn në një etapë të re zhvillimi.

Ne besojmë se organizata jonë duhet të jetë jo vetëm kujdestare e historisë së lavdishme të shqiptarëve në Amerikë, por edhe arkitektja e së ardhmes së komunitetit tonë.

Misioni ynë është të ndërtojmë një VATËR më moderne, më profesionale, më gjithëpërfshirëse dhe më me ndikim se kurrë më parë.

Me unitet, përgjegjësi dhe vizion strategjik, do ta forcojmë edhe më tej rolin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” si institucioni më përfaqësues i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare.

Zoti e bekoftë kombin shqiptar,

Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin amerikan,

Zoti e bekoftë Vatrën tonë;

Na priftë e mbara. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB