Aktiviteti, që dyshohet se ishte pjesë e parafushatës për zgjedhjet parlamentare në Serbi, u zhvillua në një shkollë në veri të Mitrovicës. Policia thotë se ka instruksione të mos lejojë aktivitete të tilla politike në territorin e Kosovës.
Policia e Kosovës ka ndërprerë një tubim në Mitrovicën e Veriut, për të cilin autoritetet dyshojnë se ishte aktivitet parazgjedhor në kuadër të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e Shkollës Teknike, ku, sipas Policisë, ishin mbledhur një numër personash. Në mesin e të pranishmëve janë parë edhe zyrtarë të Listës Serbe. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për RTKLive se Policia kishte marrë informacion për zhvillimin e një aktiviteti parazgjedhor dhe se kishte intervenuar në përputhje me udhëzimet e autoriteteve.
“Kemi marrë informatën se një tubim parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare në Serbi po mbahet në Shkollën Teknike. Kemi instruksione nga autoritetet urdhërdhënëse që të mos lejojmë asnjë aktivitet të tillë parazgjedhor të Serbisë në territor të Kosovës”, ka thënë Elshani. Sipas tij, pjesëmarrësit kanë pretenduar se takimi kishte të bënte me çështje të arsimit dhe jo me aktivitet politik. Megjithatë, Policia e ka vlerësuar situatën ndryshe dhe ka ndërhyrë për ta ndërprerë tubimin.
“Nga turma e njerëzve është pretenduar se po bëhet fjalë për një mbledhje për çështje arsimi. Megjithatë, u shpërndanë menjëherë”, ka deklaruar Elshani.
Policia e Kosovës ka bërë të qartë se aktivitetet politike që lidhen me proceset zgjedhore në Serbi nuk do të lejohen të zhvillohen në territorin e Kosovës. Ngjarja vjen në një kohë kur aktivitetet politike të strukturave dhe subjekteve që veprojnë në veri të vendit vazhdojnë të jenë në fokus të institucioneve të Kosovës, transmeton rtk.










