Nga Dashnim Hebibi
CYRIH, 06 qershor 2026 – Procesi i votimit për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër po zhvillohet me një pjesëmarrje të kënaqshme dhe në një atmosferë të qetë e të rregullt. Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, bëri të ditur se në listën e votuesve janë të regjistruar gjithsej 2.092 qytetarë me të drejtë vote. Sipas tij, deri në orën 13:00 kishin votuar më shumë se 50 për qind e votuesve të regjistruar, një tregues i qartë i interesimit dhe përgjegjësisë së lartë qytetare të mërgatës kosovare.

“Është për t’u përshëndetur fakti që bashkatdhetarët tanë po tregojnë kulturë dhe qytetari të veçantë gjatë gjithë procesit të votimit. Ata po respektojnë rregullin dhe rendin, gjë që është shumë e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh se konsullata ndodhet në një zonë banimi”, deklaroi z. Berisha.
Ai shprehu mirënjohje edhe për stafin e Konsullatës së Kosovës në Zvicër, si dhe për të gjithë personat e angazhuar në organizimin e procesit zgjedhor.
“Falënderoj stafin dhe të gjithë ata që po punojnë me përkushtim për të siguruar që gjithçka të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

Gjatë qëndrimit në qendrën e votimit, takuam shumë bashkatdhetarë të cilët kishin ardhur për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike. Ndër ta ishin edhe veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar në Zvicër, Visar Robelli, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për Zvicrën Qendrore, si dhe babai i tij, Bajram Robelli, 72-vjeçar. Të dy dhanë votën e tyre dhe shprehën kënaqësinë për pjesëmarrjen e madhe të mërgimtarëve në këtë proces.
“Votuam me shumë kënaqësi. Është një ndjenjë e veçantë kur shohim bashkatdhetarët tanë duke marrë pjesë masivisht në votime dhe duke kontribuar në të ardhmen e vendit”, u shprehën ata. Po ashtu, votën e tij e hodhi edhe veprimtari dhe afaristi Shaqir Alushaj, i cili vlerësoi organizimin dhe interesimin e madh të mërgatës për zgjedhjet.

Megjithëse dita e votimit është e gjatë, z. Berisha theksoi se stafi konsullor do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve deri në përfundim të procesit.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për mërgatën tonë. Ne i mirëpresim të gjithë bashkatdhetarët tanë. Konsullata është shtëpia e tyre dhe dyert e saj janë gjithmonë të hapura për ta”, tha ai. Deri në orët e pasdites pritej që edhe shumë qytetarë të tjerë të vinin për të ushtruar të drejtën e votës, duke e bërë kështu këtë ditë një shembull të angazhimit dhe lidhjes së fortë që mërgata kosovare vazhdon ta ketë me vendlindjen. ( Foto Bekim Imeri)




