Haradinaj: 5, 12 dhe 19 prilli janë si opsione për zgjedhje. Kryetari në dorëheqje i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar mospjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar si “një shije të keqe”.
“Një shije e keqe ishte mospjesëmarrja e Vetëvendosjes dhe partnerëve të saj qeverisës, ndërsa edhe Lista Serbe mungoi në takim, është e pakuptimet mos pjesëmarrja e tyre.”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se 5, 12 dhe 19 prilli janë si opsione, por mund të ketë edhe datë tjetër.
“Në opsion janë datat 5, 12 dhe 19 prill, mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër, varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar, sepse tash jemi në auto pilot. Ne i respektojmë cilëndo datë”, tha Haradinaj.
Hamza: Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri në këtë moment.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza ka thënë pas takimit me presidenten Osmani se partia e tij ka qenë konstruktive që Kosova të ketë president të ri, mirëpo situata është si është.
“Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri në këtë moment. Nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë sesa një alternativë. Përgjegjësia kryesore natyrisht se është mbi partinë fituese, partinë më të madhe, sepse ajo ka mundur t’i japë vendit president”.
I pyetur nëse partia e tij është e gatshme për zgjedhje, Hamza ka thënë se zgjedhjet janë të panevojshme, të lodhshme për qytetarët e Kosovës, dhe të kushtueshme, mirëpo asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president, përveç partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Lëvizja Vetëvendosje me cilëndo prej partive politike ka mundur t’i japë vendit president. Megjithatë, meqë kemi mbërritur këtu, dhe tashmë është e qartë, ne po flasim për datën kur do të jenë zgjedhjet, meqë ato janë të pashmangshme, PDK-ja i ka strukturat, e ka organizimin, i ka të gjitha”./BS




