Prishtinë – Për të 13-tën natë me radhë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Në mesin e të pranishmëve janë parë familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës dhe qytetarë nga pjesë të ndryshme të vendit. Tubimi është karakterizuar nga thirrje në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe nga shprehje pakënaqësie ndaj zhvillimeve dhe vendimeve të procesit gjyqësor në Hagë.
Në mesin e protestuesve është parë edhe Klestori, djali i Kadri Veselit, i cili ka qenë i pranishëm edhe në tubimin e kësaj nate. Protestat, të cilat po zhvillohen për të 13-tën natë radhazi, janë shoqëruar me thirrje drejtuar institucioneve të Kosovës për rishikimin dhe ndryshimin e kuadrit ligjor që lidhet me Gjykatën Speciale. Organizatorët kanë përsëritur qëndrimin e tyre se tubimet do të vazhdojnë dhe kanë bërë thirrje për mobilizim të mëtejshëm qytetar. Sipas tyre, pjesëmarrja e vazhdueshme në këto protesta tregon se çështja vazhdon të mbetet e ndjeshme për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve. Tubimet deri tani janë zhvilluar në mënyrë të qetë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi mund të shtrihet edhe në qytete të tjera të Kosovës. Me kalimin e ditëve, sheshi “Skënderbeu” është kthyer në pikën qendrore të këtyre tubimeve, ku qytetarët vazhdojnë të shprehin qëndrimet e tyre në lidhje me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse thirrjet e organizatorëve për një mobilizim më të gjerë do të konkretizohen me tubime edhe jashtë Prishtinës./BS










