Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të sfidës ndaj San Marinos, duke kërkuar nga skuadra përqendrim maksimal dhe mentalitetin e duhur për të përballuar ndeshjen. Gjimshiti theksoi se fakti që Shqipëria shihet si favorite nuk duhet të ndikojë në qasjen e lojtarëve, pasi ndeshja mund të bëhet e vështirë nëse skuadra nuk hyn në fushë me seriozitetin e nevojshëm.
“Varet nga ne nëse do ta bëjmë të thjeshtë”
Kapiteni kuqezi u shpreh i qartë se San Marino nuk duhet nënvlerësuar.
“Është e vërtetë ajo që thua, nuk është e thjeshtë, por besoj që përqendrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100%, por edhe më shumë në këto ndeshje që të gjithë presin që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës. Shumica besojnë që do të jetë një ndeshje e thjeshtë, por nuk do të jetë ashtu aspak. Varet nga ne, a do ta bëjmë të thjeshtë apo jo. Përqendrimi është 100%.”
Gjimshiti: “Duam vendin e parë”
Duke folur për atë se ku duhet të përmirësohet Kombëtarja, Gjimshiti pranoi se periudha e fundit nuk ka qenë e lehtë, por rikthimi te fitorja i ka dhënë skuadrës besim.
“Sigurisht nuk ishte një periudhë e mirë, por u kthyem te fitorja dhe te ndeshjet që janë shumë të rëndësishme. Nations League na jep një opsion për Europianin. Besoj që hapi i parë ishte te ndeshja e fundit që zhvilluam një lojë të mirë dhe fituam me meritë.”
Kapiteni shqiptar theksoi se objektivat mbeten të larta dhe se skuadra duhet të funksionojë si një grup i vetëm.
“Sigurisht synimet janë të forta. Duam vendin e parë dhe ajo që duhet të përmirësohet është i gjithë grupi, të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë për 90 minuta. Në këtë nivel, nëse gabon shumë shpejt ndryshon loja dhe duhet të jesh i fokusuar.”
“Mentaliteti i duhur do të jetë vendimtar”
Për të shmangur çdo surprizë ndaj San Marinos, Gjimshiti kërkoi që skuadra të jetë e përgatitur si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë psikologjik.
“Duhet të futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet edhe se si do të luajë San Marino, por edhe mënyra se si do të futemi ne në fushë, me agresivitetin dhe kualitetin që kemi.”
Ai beson se forca e Shqipërisë duhet të jetë grupi dhe kontributi i çdo lojtari, pavarësisht nëse nis ndeshjen nga minuta e parë apo qëndron në stol.
“Besoj që mund t’ia dalim të gjithë së bashku. Të gjithë lojtarët që do të jenë në fushë dhe nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë.”
Një kërkesë për biletë nga një mik rumun
I pyetur se kush i ka kërkuar më shumë bileta për ndeshjen, shqiptarët apo italianët, Gjimshiti tregoi një detaj nga miqësitë e krijuara gjatë karrierës së tij në Itali.
“Në këtë rast më shumë është një shoku im rumun që kemi luajtur bashkë në Itali dhe ai më ka pyetur për biletë.”
Gjimshiti njeh sulmuesin Nanni
Kapiteni kuqezi foli edhe për repartin ofensiv të San Marinos, duke veçuar sulmuesin Nanni, me të cilin është përballur më herët në Itali.
“E njoh sulmuesin, e ka emrin Nanni, kam luajtur kundër. Është fizikisht i madh, pothuajse 1.90 si unë, e mban shumë mirë topin.”
Gjimshiti nënvizoi se në futboll nuk ka vend për nënvlerësim dhe se edhe kundërshtarët që shihen si më të dobët mund të krijojnë probleme nëse nuk përballohen me përqendrimin e duhur.
“Në Itali kur nuk ke ndeshje brenda javës bën ndonjë miqësore me ndonjë skuadër të Serisë C apo Serisë D dhe gjithmonë sulmuesit janë ato që kanë më shumë kualitet, apo numri 10 dhe nuk është e thjeshtë. Kanë cilësi dhe kualitet, duhet të jesh 100% i fokusuar sepse mund të ndodhë gjithçka në futboll.” Mesazhi i kapitenit kuqezi para sfidës është i qartë: respekt maksimal për kundërshtarin, përqendrim nga minuta e parë dhe angazhim i plotë i të gjithë skuadrës për 90 minuta, transmeton rtsh.










