Partia Demokratike Evropiane ka shprehur shqetësim të thellë për rastet e dhunës, kërcënimeve dhe pengimit të gazetarëve gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare hetime të menjëhershme, të paanshme dhe të pavarura për çdo incident të raportuar. Në një deklaratë publike, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Sandro Gozi, ka dënuar ashpër sulmet ndaj profesionistëve të medias, duke theksuar se gazetarët duhet të jenë të lirë dhe të sigurt në ushtrimin e detyrës së tyre, veçanërisht kur raportojnë mbi veprimet e institucioneve shtetërore. Shqetësimi i Partisë Demokratike Evropiane mbështetet në të dhënat e publikuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), si dhe në një investigim të BIRN, sipas të cilit që prej 13 tetorit janë regjistruar rreth 50 raste dhune dhe pengesash ndaj gazetarëve, ku 41 prej tyre i atribuohen efektivëve të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” ka dokumentuar 28 raste dhune, intimidimi dhe pengimi të punës së medias gjatë periudhës 13-19 tetor, të cilat kanë prekur të paktën 23 profesionistë të medias. Sipas raportit, të paktën 12 gazetarë janë sulmuar fizikisht.
Ndër rastet më shqetësuese janë denoncimet e gazetares së Klan News, Glidona Daci, e cila ka deklaruar se është spërkatur në fytyrë gjatë një raportimi të drejtpërdrejtë, si dhe ai i redaktorit të Syri, Julian Hoxhaj, i cili ka pretenduar se është goditur me shkelma dhe tërhequr zvarrë nga efektivë policie.
Edhe drejtuesi i Citizens.al, Lorin Kadiu, ka raportuar se një plumb gome i ka kaluar pranë fytyrës, ndërsa autoboti i ujit i ka dëmtuar pajisjet e punës.
Duke reaguar ndaj këtyre denoncimeve, Sandro Gozi ka kërkuar që çdo pretendim të hetohet me seriozitet dhe që të gjitha provat filmike të ruhen për të zbardhur përgjegjësitë.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt, veçanërisht kur dokumentojnë veprimet e autoriteteve. Këto akuza kërkojnë hetime të menjëhershme, të paanshme dhe të pavarura”, theksohet në deklaratën e tij.
Gozi i ka drejtuar gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të ndalojë, sipas tij, intimidimin dhe diskreditimin e mediave për mënyrën se si pasqyrojnë ngjarjet.
Ai ka paralajmëruar se sulmet ndaj mediave në një kohë kur gazetarët përballen me dhunë gjatë ushtrimit të profesionit përbëjnë një shqetësim serioz për standardet demokratike dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike Evropiane, liria e shtypit, llogaridhënia dhe shteti i së drejtës nuk duhet të mbeten vetëm angazhime politike në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, por duhet të garantohen konkretisht në praktikë.
Edhe organizata të tjera ndërkombëtare, mes tyre Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, kanë kërkuar hetimin e rasteve të dhunës ndaj medias. Ndërsa Avokati i Popullit, pas monitorimit të protestës së 20 tetorit, ka ngritur shqetësime për pretendimet mbi përdorimin e dhunës nga policia, duke kërkuar ruajtjen e provave dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Në përfundim, Partia Demokratike Evropiane u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa konkrete për garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë protestave publike dhe të sigurojnë që çdo rast i pretenduar i abuzimit të hetohet në mënyrë të pavarur, duke mos lejuar pandëshkueshmërinë për shkeljet ndaj lirisë së medias./BWeb










