Një imazh i fuqishëm ka shënuar të Premten e Madhe të këtij viti në Romë. Papa Leo XIV, në vitin e tij të parë si pasardhës i Shën Pjetrit, ka thyer traditën e dekadave të fundit duke mbajtur personalisht kryqin prej druri përgjatë të 14 stacioneve të “Rrugës së Kryqit” (Via Crucis) në Koloseum.
Ky akt simbolik nuk ishte parë që nga koha e Papa Gjon Palit II (para vitit 1995), duke dëshmuar jo vetëm forcën fizike të Atit të Shenjtë 70-vjeçar, por edhe një mesazh të qartë shpirtëror për botën e trazuar.
“Krishti ende vuan”, mesazhi pas aktit
Përpara nisjes së procesionit, Papa Leo XIV u shpreh për gazetarët se mbajtja e kryqit është një shenjë që tregon se vuajtja e Krishtit vazhdon edhe sot përmes njerëzimit.
“Unë e mbaj të gjithë këtë vuajtje në lutjen time,” tha ai, duke iu referuar konflikteve dhe dhimbjeve që po kalon bota aktuale.
Procesioni u ndoq nga mijëra besimtarë dhe pelegrinë, të cilët u mblodhën rreth monumentit antik për të dëgjuar meditimet e përgatitura nga Reverend Francesco Patton, ish-kujdestar i Tokës së Shenjtë.
Një thirrje për ata që kanë pushtet
Në stacionin e parë, meditimi i Leos ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për liderët botërorë. Teksti nënvizonte përgjegjësinë hyjnore të atyre që kanë në dorë: fuqinë për të gjykuar; fuqinë për të filluar ose përfunduar një luftë; fuqinë për të mbjellë dhunë ose paqe.
Ky mesazh vjen në një moment delikat gjeopolitik, ku Papa ka bërë thirrje të vazhdueshme për dialog dhe përfundimin e luftërave, veçanërisht asaj në Lindjen e Mesme. Kontrasti me paraardhësit
Ndryshe nga Papa Françesku, i cili për shkak të shëndetit të rënduar nuk mundi ta mbante kryqin, apo Benedikti XVI që e mbante atë vetëm në stacionin e parë, Leo XIV ka shfaqur një formë të shkëlqyer fizike. Sportist i apasionuar pas tenisit dhe notit, Papa 70-vjeçar tregoi një qëndrueshmëri që u kujtoi besimtarëve vitet e para të Gjon Palit II.
Ky akt i Papa Leos shihet nga vëzhguesit e Vatikanit si një përpjekje për të mishëruar besimin në “botën reale”, duke e nxjerrë fenë nga abstraksioni dhe duke e lidhur atë me sfidat konkrete të njerëzimit.
Çfarë vijon në Javën e Shenjtë?
Kalendari i Atit të Shenjtë për ditët në vijim është i ngjeshur. E Shtuna e Madhe ku Papa do të kryesojë Vigjiljen e Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të pagëzojë katolikë të rinj; E Diela e Pashkëve ku do të kremtohet Mesha në Sheshin e Shën Pjetrit, e ndjekur nga mesazhi i shumëpritur dhe bekimi tradicional “Urbi et Orbi” (Qytetit dhe Botës), transmeton rtsh.




