
Nga Dr. Sali SEFA, ish-konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, ish i burgosur politik, diplomat në karrierë dhe doktor i mjekësisë
Një takim që as nuk e planifikova!
Nuk e kërkova e as nuk e prita!
Paska edhe asi takimesh që vijnë dhe hapin plagë që ke menduar se i ka mbuluar koha.
Dje me 15.09 në Aeroportin e Prishtinës, pranë sporteleve ku dorëzohen valixhet, qëndronte afër nesh një burrë rreth të pesëdhjetave.
Dukej njeri i arsimuar, i rregullt, i dalur por disi shihej si i përmbajtur me zor!
Mimika e fytyrës se tij nuk kishte qetësi, në çdo sekond e qelte telefonin dhe sikur thoshte e priste diqka!
Sytë i rrinin diku larg, sikur trupi ishte ende në Aeroport, ndërsa mendja e tij kishte filluar tashmë udhëtimin drejt së panjohurës.
Na përshëndeti.
Ia kthyem përshëndetjen.
Disa fjalë të zakonshme mes njerëzish që ndoshta nuk do të takohen më kurrë.
E pyeta:
Mysafir po shkoni në Zvicër?
Mori frymë thellë.
Jo,Kam biletë për Nju Jork.!Ani mirë!
Ai heshti!
Keni familje atje?
Heshti pak.
Pastaj tha:
Jo edhe aq…
Dhe ajo fjali që erdhi më pas më ra rëndë në kokë!
Vij nga Peja. Atje i lashë prindërit, gruan dhe dy fëmijët e mi të mitur. Ia kam mësy gyrbetit, vëlla dhe dridhej si thupra n‘ujë!
Në Pejë kisha një kompani.
Pesë të punësuar,
Pesë njerëz që merrnin rrogë nga puna kompania ime!!!
Por çka të them, për çdo vit, gjithçka bëhet më e vështirë.
Shpenzimet po rriten!
Detyrimet poashtu po shtohen!
Fitimi askund!
Deri sa biznesi nuk mbeti më shpresë, por barrë.
Deri sa erdhën borxhet.
Dhe pastaj vendimi më i rëndë i jetës sime!
Vendim që asnjë baba nuk do të donte ta merrte:
të linte gruan, fëmijët, prindërit, qytetin, shtëpinë dhe një jetë të tërë pas vetes, për të shkuar mijëra kilometra larg e për të filluar nga hiqi!
Pushoj pak dhe…!
Nëse kam fat dhe gjej punë, do t’i marr edhe ata…
Nuk mundi të vazhdonte.
Buzët i dridheshin.
Lotët i rridhnin.
Dhe aty nuk qau vetëm ai.
Sepse kishte diçka të tmerrshme në atë pamje:
një burrë në moshën pesëdhjetëvjeçare, me familje, me përvojë, me punë e me një biznes pas vetes, po nisej drejt Amerikës jo për aventurë, por për mbijetesë,ta gjej diku një strehë , nje shpresë të mëshehur ndoshta!
Mbërritëm në Zürich.
Ne kishim arritur në destinacionin tonë.
Ai jo.
Atë e prisnin edhe shumë orë fluturimi.
Edhe mijëra kilometra.
Edhe një botë e panjohur.
U përqafuam fort.
Sikur të njiheshim prej vitesh.
I urova fat.
Pastaj ia ktheva shpinën.
Jo për t’u larguar më shpejt.
Por për t’i fshehur lotët e mi.
Sepse në atë çast nuk po shihja më vetëm atë burrë nga Peja.
Po shihja veten time.
Më shumë se tri dekada më parë.
Edhe unë dikur e lashë Kosovën.
Edhe unë dikur e njihja atë valixhe.
E njihja atë frikë.
Atë zbrazëti.
Atë fillim nga hiqi!
Ta lësh atdheun nuk është vetëm të kalosh një kufi.
Është të lësh pas një pjesë të vetes.
Është të mësosh të jetosh me mallin.
Të jetosh me mungesën.
Të jetosh duke numëruar ditët deri në kthimin tjetër.
Këtu shoh një dallim,atëherë ika nga një rezhim i tmerrshëm kundër shqiptarve e sot?
Si është e mundur që pas gjithë atyre sakrificave, pas burgjeve, luftës, dëshmorëve dhe ëndrrës për liri, ne ende prodhojmë valixhe?
Si është e mundur që një njeri që krijoi një kompani dhe punësoi pesë veta, në vend se të ndihmohet të rritet, arrin në pikën kur e vetmja rrugë që sheh është aeroporti?
Mos më thoni se ky është vetëm migrim.
Jo.
Ky është largim me dhimbje.
Ky është zhgënjim.
Ky është një lloj varfërimi shpirtëror i një vendi.
Sepse kur ikën një punëtor, humbet një dorë.
Kur ikën një profesionist, humbet një mendje.
Kur ikën një sipërmarrës, humbet një mundësi.
Por kur ikën një baba dhe lë pas dy fëmijë, atëherë humbet diçka shumë më të madhe:
çahet një familje.
Prandaj, ju që sot udhëhiqni Kosovën, mos numëroni vetëm votat.
Numëroni valixhet.
Mos shikoni vetëm sallat e parlamentit.
Shikoni sallat e aeroporteve.
Mos matni suksesin vetëm me tabela, raporte e fjalime.
Shikojeni nënën që përcjell djalin në të panjohuren!
Shikojeni gruan që mbetet me dy fëmijë.
Shikojeni babanë që, pesëdhjetë vjeç, duhet të fillojë përsëri nga hiqi!
Dhe pastaj pyeteni veten:
A është kjo Kosova për të cilën u sakrifikuan gjenerata të tëra?
Mos e lini Kosovën të bëhet vendi ku lindim, por nuk mund të plakemi.
Mos e lini aeroportin të bëhet dera kryesore e shpresës.
Mos e lini fëmijën ta njohë babanë përmes ekranit.
Mos e lini prindin ta presë vdekjen pa e prekur dorën e djalit!
Mos lejoni që fjala gyrbet të bëhet përsëri fati ynë kombëtar.
Kosova nuk ka nevojë vetëm për ndërtesa.
Ka nevojë për njerëzit e saj.
Nuk ka nevojë vetëm për shtet në letër.
Ka nevojë për një shtet ku njeriu mund të jetojë me dinjitet!
Sepse një vend nuk zbrazet brenda një dite.
Një familje sot.
Një tjetër nesër.
Një biletë.
Një valixhe.
Një përqafim.
Shumë lotë!
Mos e lejoni atë ditë të vijë.
Sepse sot ende ka lot kur dikush largohet.
Por kam frikë nga dita kur nuk do të ketë më as lot.
Sepse atëherë nuk do të ketë më kush të qajë.
Do të mbeten vetëm shtëpitë.
Rrugët.
Varret gjithënjë më pak!
Dhe një atdhe që do të pyesë në heshtje:
Ku janë njerëzit e mi???










