Nga Prof. Afrim Krasniqi
Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim, një shtet e një shoqëri me rini të gjallë, aktive, të aftë dhe të mençur është pasuri dhe bekim.
Kaq e thjeshtë është: në çdo skenar të mundshëm, – në një përballje midis rinisë & studentëve që kërkojnë antikorrupsion, demokraci funksionale e shtet të drejtë dhe qeverisë që kërkon të shtyj mandatin me trupa komando, do ishte antihistorike nëse qeveria e akuzuar mbijeton. Me mbijetesën ajo thjesht do zgjaste agoninë, por mbi të gjitha do të amnistonte të gjitha akuzat që i janë bërë, si dhe korrupsioni/klientelizmi/oligarkia/arroganca dhe brutaliteti do të legjitimohen si normalitet. Për më tepër, gjenerata e re nuk mund të humbë një betejë morale dhe qytetare të nisur katër muaj më parë përballë një gjenerate dhe modeli politik që mban peng vendin dhe demokracinë prej disa dekadash.
Aktet e dhunës janë të gabuara, prona private është e shenjtë në demokraci, të drejtat qytetare nuk mund të negociohen, institucionet janë të shtetit, ashtu siç edhe policia, ushtria, shërbimi sekret dhe administrata duhet të jenë në shërbim të publikut. Jo të kryeministrit. Jo të një individi apo partie.
Koha për debat e zgjidhje politike të krizës. Mjaft me politikanë në dy anët e Lanës që nxisin urrejtje dhe kërkojnë që përmes saj të mbijetojnë duke vijuar sundimin e tyre, mjaft me zyrtarë që shpallin armik fëmijët, kritikët, ata që mendojnë kundër dhe protestojnë kundër korrupsionit, përjashtimi, refuzimit, bullizmit dhe trajtimit si emigrantë ilegalë në vendin e tyre!
Koha për politikë që prodhon ide dhe ofron zgjidhje, koha për shtetarë e politikanë që arrijnë të shohin përtej kolltukut/vilës dhe partisë së tyre, koha për mendje të urta, për reflektim, për tërheqje dhe respektim të kërkesave të gjeneratës së re. Ndryshim dhe jo riciklim, reformim të thellë dhe jo plagjiaturë të pazareve të radhës apo paktit deformues të prillit 2008.
Dhe ndërkombëtarët… – janë këtu për popullin shqiptar, për shtetin shqiptar, për shoqërinë shqiptare, për Shqipërinë, për raportet ndërshtetërore, jo për të mbrojtur apo lobuar mbijetesa dhe interesa të individë të korruptuar, të cilët në mënyrë të ricikluar dhe konsensusit të heshtur, përmes aleancës fitimprurëse të kullave, gradaçelave dhe oligarkëve mbajnë peng shtetin, partitë, shoqërinë e për pasojë, edhe nevojën e ndryshimit.
Shqipëria ka pasur 68 qeveri dhe 33 kryeministra, do të ketë edhe shumë të tjera në të ardhmen. Qeveritë, kryeministrat, ministrat, deputetët e drejtorët e policisë vijnë e shkojnë, por vendi, shoqëria, shteti dhe Shqipëria mbeten. Diçka që pushtetarët e radhës e kanë harruar










