Një ditë e veçantë, e mbushur me emocione dhe ndjenja të sinqerta, është shënuar sot në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih.
Përgatiti: Dashnim HEBIBI
Cyrih, 08 nëntor 2026 – Shefi i Konsullatës, z. Vigan Berisha, ka përjetuar një moment të veçantë, duke u nderuar me një dhuratë simbolike dhe me vlerë të jashtëzakonshme emocionale, të cilën ia dhuroi Nëna Qamë, nëna e dëshmorit të kombit, Afrim Zhitia, i cili dha jetën për lirinë e Kosovës. Me respekt dhe përzemërsi të veçantë, z. Berisha e shoqëroi për dore Nënën Qamë deri në hyrje të konsullatës, në një gjest që përcolli mirënjohje, dashuri dhe respekt të thellë për nënën e një heroi të kombit. Ishte një takim ku emocionet flisnin më shumë se fjalët. Prania e Nënës Qamë dhe dhurata e saj e veçantë sollën në vëmendje sakrificën e familjeve shqiptare që dhanë më të shtrenjtën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Se çfarë dhurate mori nga Nëna Qamë, e ka bërë të ditur vetë z. Berisha përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ku ka shprehur emocionet dhe mirënjohjen e tij me këto fjalë:
“Nuk ka dhuratë më të çmuar për mua sesa ajo që vjen nga duart e një nëne të heroit. Nëna Qamë, këtë bluze do ta ruaj me një ndjenjë të veçantë, sepse bashkë me të mora edhe një pjesë të kujtimit, krenarisë dhe sakrificës së birit tuaj, Afrim Zhitia. Faleminderit nga zemra, Nëna Qamë.”
Një bluzë që përtej vlerës së saj materiale, mbart një histori të madhe, kujtimin e një heroi dhe dashurinë e një nëne që sakrifikoi më të shtrenjtën për atdheun. Sepse dhuratat më të çmuara nuk maten me vlerën e tyre, por me historinë, dashurinë dhe sakrificën që bartin në vete. Një bluzë, një histori, një kujtim i përjetshëm. Në shpirtin e Nënës Qamë jeton dhimbja e një nëne, ndërsa në zemrën e saj krenaria për birin që ia fali jetën Kosovës. Respekti për nënat e dëshmorëve është respekt për vetë lirinë tonë. Lavdi dëshmorëve!










