BallinaAtdheuNis beteja në Apel për ish-krerët e UÇK-së, mbrojtja ka afat deri...

Nis beteja në Apel për ish-krerët e UÇK-së, mbrojtja ka afat deri më 25 shtator

-

Pas aktgjykimit të shkallës së parë, ka nisur zyrtarisht procesi i apelimit për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Mbrojtja duhet të njoftojë deri më 25 shtator se cilat pjesë të vendimit do të kundërshtojë.

Ka nisur zyrtarisht procedura e apelimit për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në total, dënimet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së arrijnë në 81 vjet.

Ekipet e mbrojtjes kanë nisur këtë javë procedurat për njoftimin e Dhomave të Specializuara për synimin për apelim. Sipas afateve të përcaktuara, mbrojtja ka kohë deri të premten, më 25 shtator, për të njoftuar gjykatën se cilat pjesë të aktgjykimit do të kundërshtohen.

Mbrojtja kundërshton disa pika të aktgjykimit

Avokatët mbrojtës kanë bërë të ditur se në aktgjykim ka disa pika që pritet të kundërshtohen në shkallën e dytë.

Në veçanti, kundërshtimet pritet të lidhen me konstatimet për përgjegjësinë për vrasjet dhe ndalimet e paligjshme, përfshirë edhe rrethanat në të cilat, sipas mbrojtjes, ndërhynte një palë e tretë, në këtë rast NATO.

Procesi i apelimit pritet të zhvillohet përmes disa etapave procedurale dhe mund të zgjasë disa muaj.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, organizatë që monitoron proceset gjyqësore për krime lufte, ka deklaruar për Radio Kosovën se procedura e apelimit përfshin një sërë afatesh, nga njoftimi për ankimim deri te vendimi përfundimtar i gjykatës së shkallës së dytë.

Sipas tij, rregullorja e procedurës dhe provave përcakton afate për njoftimet, përgjigjet ndaj ankesave, paraqitjen e tyre dhe caktimin e seancës në gjykatën e Apelit.

Afate edhe për viktimat dhe Prokurorinë

Në kuadër të procedurave pas aktgjykimit, edhe palët e tjera kanë afate të përcaktuara nga gjykata.

Avokati i viktimave ka afat deri më 14 tetor për të paraqitur prova dhe argumente lidhur me çështjen e dëmshpërblimeve.

Ndërkohë, Prokuroria ka afat deri më 4 nëntor për të dorëzuar shkresat e saj në kuadër të procedurave.

PDK paraqet projekt-nismë në Kuvend

Paralelisht me zhvillimet gjyqësore në Hagë, në Kosovë është hapur edhe një debat institucional për funksionimin e Dhomave të Specializuara.

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend një projekt-nismë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Nga PDK-ja është thënë se nisma synon rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së kësaj gjykate, e cila është e zhvendosur në Holandë.

Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së vijon me fazën e apelimit, e cila do të përcaktojë nëse dhe në çfarë mase vendimi i shkallës së parë do të mbetet në fuqi pas shqyrtimit nga gjykata e shkallës së dytë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Lajm i mirë për shqiptarët në Zvicër: Gjermania drejt heqjes së...

0
Blerjet në Gjermani mund të bëhen edhe më të leverdishme për qytetarët që jetojnë në Zvicër. Qeveria gjermane planifikon të heqë kufirin minimal prej...