Përgatiti Dashnim HEBIBI
Vepra “Balkans, Peninsula of Crisis – Failure of Diplomatic Management” do të përfshihet në koleksionin e Bibliotekës Kombëtare Austriake. Autori e cilëson këtë si një hap të rëndësishëm për praninë akademike të Kosovës në Evropë.
Një lajm i rëndësishëm nga Vjena vjen për autorin dhe studiuesin nga Kosova, Prof. Dr. Nijazi Halili, pasi vepra e tij akademike “Balkans, Peninsula of Crisis – Failure of Diplomatic Management” ka marrë dritën jeshile për t’iu bashkuar koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Austrisë – Österreichische Nationalbibliothek. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Dr. Halili, i cili ka njoftuar se institucioni austriak e ka mirëpritur dhurimin e librit dhe ka konfirmuar se vepra mund të përfshihet në fushën e koleksionit të saj. Libri trajton tema që lidhen drejtpërdrejt me Ballkanin, marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë dhe menaxhimin e krizave. Sipas autorit, vepra është e lidhur ngushtë me punën e tij doktorale dhe përfaqëson një vazhdimësi të kërkimit të tij akademik.

Nga kërkimi doktoral drejt hapësirës akademike evropiane
Për Dr. Halilin, përfshirja e librit në një prej institucioneve më të rëndësishme bibliotekare të Austrisë përbën një moment të veçantë në rrugëtimin e tij akademik. Nga kërkimi doktoral, te botimi i librit dhe tashmë te prania e tij në një institucion akademik evropian, autori e sheh këtë zhvillim si një tjetër mundësi që studimet mbi Ballkanin të jenë pjesë e hapësirës së dijes dhe kërkimit në Evropë. Specialistët e Bibliotekës Kombëtare Austriake kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për të shqyrtuar edhe veprat e tjera të ofruara nga Dr. Halili. Në rastet kur veprat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Austrinë, ato mund t’i përcillen Bibliotekës Universitare të Vjenës, përkatësisht Bibliotekës së Sociologjisë dhe Shkencave Politike.
“Një libër nga Kosova udhëton drejt Vjenës”
Duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm, Dr. Halili ka theksuar simbolikën e pranisë së një vepre të botuar nga një autor nga Kosova në institucionet akademike evropiane.
“Një libër nga Kosova udhëton drejt Vjenës. Libri nuk njeh kufij. Ai udhëton me dijen, me autorin dhe me vendin prej nga vjen”, është shprehur ai. Sipas Halilit, pranimi i veprës në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë është një tjetër hap në drejtim të rritjes së pranisë akademike të Kosovës në Evropë.
Nga Kosova në Vjenë – përmes librit, dijes dhe kërkimit akademik, një tjetër vepër shqiptare i bashkohet hapësirës evropiane të dijes.










