Nga Dahest LUMA, Zürich
Zürich, 18 qershor 2026 – Kanë mbetur edhe pak orë deri te njëra nga ndeshjet më të pritura të Kampionatit Botëror 2026, ku Kombëtarja e Zvicrës do të përballet me Bosnjë dhe Hercegovinën në stadiumin e Los Angelesit. Takimi, i cili nis në orën 21:00, po zgjon interes të madh jo vetëm te tifozët zviceranë, por edhe te mërgata shqiptare në Zvicër dhe më gjerë. Sipas informacioneve që ka siguruar HelveticALForum, sonte në shumë familje shqiptare në Zvicër do të mbizotërojë atmosfera sportive. Shqiptarët, të cilët prej dekadash jetojnë dhe veprojnë në Konfederatën Helvetike, do të jenë para ekraneve televizive duke mbështetur Kombëtaren e Zvicrës dhe lojtarët me prejardhje shqiptare që përfaqësojnë këtë shtet në arenën ndërkombëtare.

Zeqë Gashi
Presidenti i Ansamblit “Trojet” me seli në Winterthur, Zeqë Gashi, tha për HelveticALForum se sonte së bashku me familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë do ta ndjekin ndeshjen me shumë emocion dhe optimizëm.
“Ne presim fitore nga Kombëtarja e Zvicrës. Kjo skuadër ka lojtarë të mëdhenj dhe ndër ta edhe futbollistë me prejardhje shqiptare që prej vitesh kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Zvicra për ne është atdheu i dytë dhe natyrisht që e mbështesim me zemër. E padyshim sonte presim edhe ndonjë gol nga bashkëkombësi ynë Granit Xhaka”, tha Gashi.

Ph.D. Dashnim HEBIBI
Entuziazmi për këtë ndeshje ndihet edhe në mesin e personaliteteve të jetës akademike dhe kulturore shqiptare në Zvicër. Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, Ph.D. Dashnim Hebibi, deklaroi se gjatë viteve ka ndjekur nga afër shumë ndeshje të Kombëtares zvicerane, madje shpeshherë edhe nga stadiumet, ndërsa sonte do të jetë pranë familjes dhe miqve për të mbështetur ekipin.
“Besoj shumë në fitore. Zvicra ka një ekip me cilësi të lartë, me lojtarë të dëshmuar në arenën ndërkombëtare. Sigurisht që Bosnja dhe Hercegovina është një kundërshtar serioz dhe ka treguar forcë duke arritur deri në këtë fazë të garës. Megjithatë, duke njohur teknikën, disiplinën dhe organizimin e skuadrës zvicerane, unë pres një rezultat pozitiv. Shpresoj që Granit Xhaka të shkëlqejë dhe gjithashtu të shohim më shumë minuta në fushë edhe për futbollistët e tjerë me prejardhje shqiptare”, u shpreh Hebibi.
Ai shtoi se për shumicën e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, ky vend nuk është vetëm shteti ku kanë ndërtuar jetën e tyre, por edhe një atdhe i dytë, ndaj emocionet sportive marrin një dimension të veçantë kur luan Kombëtarja helvetike. Edhe shumë mërgimtarë të tjerë shqiptarë që takuam gjatë ditës shprehën mbështetjen e tyre për Zvicrën. Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova nuk arritën të jenë pjesë e këtij eventi të madh botëror, shumë tifozë shqiptarë kanë kthyer vëmendjen nga Zvicra, ku luajnë futbollistë me rrënjë shqiptare dhe ku jeton një numër i madh bashkatdhetarësh tanë. Atmosfera festive tashmë ka filluar në qytete të ndryshme zvicerane. Në shumë shtëpi, lokale dhe ambiente familjare janë organizuar tubime për të ndjekur ndeshjen së bashku. Flamujt zviceranë dhe ata shqiptarë shpesh shihen krah për krah, duke simbolizuar lidhjen e fortë që mërgata shqiptare ka krijuar ndër vite me shtetin helvetik. Tashmë mbetet të shihet nëse Kombëtarja e Zvicrës do të arrijë sonte fitoren e parë në këtë Botëror. Shpresat janë të mëdha, pritjet po ashtu, ndërsa miliona tifozë do të jenë të përqendruar te stadiumi i Los Angelesit për të ndjekur një përballje që premton emocione të forta dhe spektakël futbollistik. Për shqiptarët në Zvicër dhe kudo në botë, kjo nuk është vetëm një ndeshje futbolli, por edhe një moment krenarie, bashkimi dhe identifikimi me një ekip ku emra si Granit Xhaka vazhdojnë të përfaqësojnë me dinjitet suksesin e komunitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Zvicra dhe Bosnja-Hercegovina do të përballen në stadiumin SoFi në Los Anxhelos në ora 21.00, në ndeshjen e dytë të grupit B në kampionatin botëror të futbollit të verës. Në ndeshjen e parë, Zvicra barazoi 1-1 kundër Katarit, ndërsa Bosnja-Hercegovina e ndaloi në 1-1 Kanada në vendin e organizatorëve. Duke marrë parasysh formën mbrojtëse të Bosnjës dhe mungesën e sulmeve efektive në ndeshjet e fundit, Zvicra ka avantazhin taktik. Fitore! /HelveticALForum.ch




