POSTIMET E FUNDIT

Meksika e nis me fitore Botërorin 2026, mposht Afrikën e Jugut në “Azteca”

Meksika e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në Kampionatin Botëror 2026, duke triumfuar me rezultat 2:0 ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Grupit A, e zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin legjendar “Azteca” në Mexico City.

Vendasit e vendosën ritmin e lojës që në fillim dhe kaluan në epërsi në minutën e nëntë. Julian Quiñones përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtjes kundërshtare dhe realizoi për 1:0, duke ndezur atmosferën në tribunat e stadiumit. Afrika e Jugut tentoi të reagojë, por nuk arriti të krijojë raste të rrezikshme para portës meksikane. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të nikoqirëve. Situata për afrikanët u komplikua edhe më shumë në fillim të pjesës së dytë, kur Yaya Sithole u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 49-të pas një ndërhyrjeje të ashpër, duke e lënë ekipin e tij me dhjetë lojtarë në fushë. Meksika e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe vulosi fitoren në minutën e 67-të. Pas një harkimi të saktë nga Roberto Alvarado, sulmuesi Raul Jimenez realizoi me kokë për rezultatin përfundimtar 2:0. Në minutat shtesë, edhe Meksika mbeti me një lojtar më pak, pasi Cesar Montes u përjashtua me karton të kuq për një ndërhyrje të palejuar. Megjithatë, koha e mbetur nuk ishte e mjaftueshme që Afrika e Jugut të rikthehej në lojë.

Me këtë fitore, Meksika siguron tre pikët e para në Grupin A dhe merr kryesimin e përkohshëm. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Republika Çeke dhe Koreja e Jugut, të cilat do të përballen në ndeshjen e radhës. Kampionati Botëror 2026 ka nisur kështu me festë për nikoqirët, të cilët synojnë një paraqitje sa më të suksesshme para tifozëve të tyre, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB