POSTIMET E FUNDIT

Mbyllja e vitit shkollor në shkollën shqipe të Naples në Florida

Nga Alketa Burimi Kapaj

E Premtja e Gjuhës Shqipe në Shkollën Shqipe në Naples, Florida, festoi mbylljen e një tjetër viti shkollor.

Një festë e bukur që na mblodhi të gjithëve bashkë rreth gjuhës, kulturës dhe dashurisë për rrënjët tona.

Kur hyra në sallën ku të gjithë ishin mbledhur, u hutova nga fëmijët që vraponin drejt meje për të më përqafuar. Në sytë e tyre pashë emocionin, gëzimin, por edhe atë drojën e ëmbël të atyre që do të dilnin në skenë për të recituar, kënduar e vallëzuar. Për disa prej tyre ishte hera e parë.

Shikoja në sytë e gjyshërve një emocion të veçantë, madje edhe më të madh se ai i fëmijëve. Ata mezi prisnin të shihnin nipërit e mbesat e tyre duke recituar në gjuhën shqipe. Prindërit kujdeseshin për çdo detaj të paraqitjes së fëmijëve të tyre, ndërsa stafi i Organizatës Shqiptaro-Amerikane të Southwest Florida-s punonte me përgjegjësi dhe përkushtim, duke u siguruar që çdo gjë të shkonte sa më mirë në këtë festë të bukur të Abetares dhe të mbylljes së vitit shkollor.

Por emocionin më të madh e përjetonin mësueset, sepse në atë skenë do të pasqyrohej puna, përkushtimi dhe dashuria e tyre gjatë gjithë vitit.

Shfaqja nisi me Himnin tonë Kombëtar. Më pas, programi u prezantua nga Evelina jonë, një vajzë e bukur, së cilës veshja popullore shqiptare i shtonte hijeshi, elegancë dhe krenari kombëtare. Më pas, fëmijët na dhuruan një program të pasur dhe plot gjallëri. Ata sollën alfabetin shqip, poezi për gjuhën shqipe, për mësuesin, për nënat shqiptare dhe për Shqipërinë. Kënduan, vallëzuan, luajtën në violinë dhe mbushën sallën me energji e buzëqeshje. Dhe, për çudi, ai emocion që i kishte mbërthyer para se të dilnin në skenë u shndërrua në forcë. Ata dhanë më të mirën e tyre.

Çfarë mrekullie është të dëgjosh zërat e fëmijëve që përcjellin dashurinë për gjuhën shqipe! A ka vlerë më të madhe se kjo, kur mendon se ky brez, i lindur larg atdheut, vazhdon ta ruajë gjuhën shqipe si një nga thesaret më të çmuara të identitetit të tij?

AAOSWFL ka bërë një punë të mrekullueshme duke krijuar dhe mbështetur këtë shkollë. Kjo vatër e ngrohtë shqiptarie është bërë një shtëpi e dytë për fëmijët tanë, një vend ku gjuha, kultura dhe traditat tona vazhdojnë të jetojnë.

Mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që e bëjnë të mundur këtë mision, por veçanërisht për dy zonjat e nderuara, Silvana Aliko Selfollari dhe Ana Gjergji, anëtare të bordit të organizatës, të cilat kanë qenë gjithmonë pranë mësueseve, fëmijëve dhe prindërve, duke ofruar mbështetje të palodhur dhe dashuri për këtë kauzë. Sepse ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm një mësim. Është një amanet. Një zë që lidh fëmijët tanë me rrënjët, historinë dhe shpirtin e kombit të tyre.

Në fund të kësaj feste, ndërsa duartrokitjet mbushnin sallën dhe fëmijët shkëlqenin nga gëzimi, mendova se ky vit ishte një udhëtim i ri edhe për mua. Një vit plot mësime, sfida dhe zbulime. Por në fund ishin vetë fëmijët ata që na dhanë mësimin më të bukur: se ata janë mbartësit më të çmuar të trashëgimisë sonë.

Gjuha shqipe është më shumë se fjalë. Ajo është një dritë që fëmijët tanë e mbajnë me vete kudo që jetojnë. Dhe sa kohë që ka fëmijë që e mësojnë, prindër që e mbështesin, mësues që e përcjellin dhe një komunitet që e mbron, ajo do të vazhdojë të ndriçojë e të jetojë, brez pas brezi, edhe larg brigjeve të Shqipërisë.

Viti shkollor u mbyll, por jo dashuria për gjuhën shqipe. Tani të gjithë presim me gëzim shtatorin, kur do të rinisim së bashku një tjetër vit të bukur shkollor, me të njëjtin mision në zemër: t’ua përcjellim fëmijëve tanë gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Rreth autores:

Alketa Burimi Kapaj është autore dhe poete shqiptare me banim në Naples, Florida. Përmes veprës së saj letrare dhe angazhimit në Shkollën Shqipe në Naples, ajo kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj në diasporë./GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB