Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur një delegacion prej 11 anëtarësh nga nëntë shtete të ndryshme, pjesë e Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me të cilët ka diskutuar për sigurinë, zhvillimin demokratik dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit janë trajtuar çështje që lidhen me bashkëpunimin e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, si dhe hapat e ardhshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kreu i Qeverisë ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një nga prioritetet strategjike të vendit, duke vlerësuar se ky proces është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.
“Për Republikën e Kosovës anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”, ka shkruar Kurti.
Gjatë takimit, sipas njoftimit të kryeministrit, është diskutuar edhe për përparimin demokratik të Kosovës, zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik, si dhe situatën aktuale të sigurisë në vend dhe në rajon.
Takimi me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s vjen në kuadër të kontakteve me përfaqësues ndërkombëtarë për çështje që lidhen me sigurinë dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Kosova vazhdon ta konsiderojë anëtarësimin në NATO si objektiv strategjik, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe forcimi i institucioneve të sigurisë mbeten çështje me rëndësi për rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik./BS










