Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka dalë nga spitali pesë ditë pasi humbi ndjenjat gjatë një seance stërvitore. Klubi gjerman nuk ka përcaktuar ende një datë për rikthimin e tij në detyrë, pasi përparësi mbetet shëndeti dhe rikuperimi i plotë i teknikut belg.
Vincent Kompany ka lënë spitalin dhe tashmë do të vijojë rikuperimin në shtëpi, pas incidentit shëndetësor që përjetoi të premten e kaluar. Lajmi u konfirmua të mërkurën nga ndihmëstrajneri i Bayern Munich, Aaron Danks, i cili theksoi se ky është një hap pozitiv në procesin e rikuperimit të trajnerit. Kompany humbi ndjenjat teksa po ndiqte një seancë stërvitore të ekipit rezervë të klubit bavarez. Pesë ditë pas incidentit, dalja nga spitali shihet si një zhvillim inkurajues, megjithatë mbetet e paqartë se kur ai do të jetë në gjendje të rikthehet në drejtimin e skuadrës.
Duke folur pas fitores së thellë 6-1 të Bayern Munich ndaj Magdeburgut në Kupën e Gjermanisë, Danks bëri të ditur se stafi teknik nuk ka një afat konkret për rikthimin e trajnerit.
“Është padyshim një hap vërtet pozitiv në rrugën e tij drejt rikuperimit”, u shpreh Danks, duke komentuar largimin e Kompanyt nga spitali.
Ai shtoi se rikthimi në shtëpi do t’i japë trajnerit mundësinë të jetë më pranë familjes dhe të pushojë në një ambient më të rehatshëm. Megjithatë, Danks nënvizoi se pushimi dhe rikuperimi mbeten thelbësore në këtë fazë.
Sipas tij, shëndeti i Kompanyt është përparësia kryesore për klubin dhe nuk do të ketë nxitim për ta rikthyer atë në punë përpara se të jetë plotësisht i shëruar.
“Shëndeti i tij është përparësia jonë numër një. Ai është ende në fazën e rikuperimit dhe ne duam që të rikthehet në shëndet të plotë dhe në formën e tij më të mirë fizike, përpara se të na bashkohet sërish”, deklaroi ndihmëstrajneri i Bayern Munich.
Danks bëri gjithashtu të ditur se nuk kishte komunikuar me Kompanyn prej disa ditësh, duke lënë të kuptohet se trajnerit po i jepet hapësira e nevojshme për t’u përqendruar te rikuperimi.
Për momentin, Bayern Munich do të vazhdojë punën pa një datë të përcaktuar për rikthimin e trajnerit belg. Mesazhi i klubit është i qartë: rikuperimi i plotë i Vincent Kompanyt vjen përpara çdo angazhimi sportiv, transmeton euronewsal.










