BallinaAtdheuKurti: Plaga e luftës mbetet e hapur: Mbi 1,500 persona ende të...

Kurti: Plaga e luftës mbetet e hapur: Mbi 1,500 persona ende të pagjetur

-

Prishtinë – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se familjet e mbi 1,500 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me ankth dhe dhimbje, pasi ende nuk kanë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.

Pas homazheve te Memoriali i Personave të Zhdukur me Dhunë në Prishtinë, Kurti tha se mungesa e një varri të dinjitetshëm për të pagjeturit e mban plagën e luftës të hapur për familjet e tyre.

“Janë mbi 1,500 të pagjetur, familjet e të cilëve jetojnë me ankth, me pikëllim, me mundime të cilat ne as i përshkruajmë, as i kuptojmë tamam dot, për shkak se nuk kanë një varr të dinjitetshëm për më të dashurit e tyre”, tha Kurti.

Ai theksoi se personat e zhdukur nuk duhet të trajtohen vetëm si një shifër statistikore, duke nënvizuar se secili prej tyre përfaqësonte një jetë, një familje dhe një kontribut të mundshëm për shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës.

Sipas Kurtit, zhdukjet me dhunë përbëjnë krime të rënda që kërkojnë zbardhje dhe përgjegjësi.

“Ky është një krim shumë i rëndë i cili duhet të zbardhet dhe për të cilin duhet të vihet në vend përgjegjësia”, deklaroi ai.

Gërmimet në veri, dëshmi të reja për krimet e luftës

Duke folur për kërkimet e fundit për personat e zhdukur, Kurti përmendi gërmimet në veri të Kosovës, veçanërisht në fshatrat Kalludër dhe Jabukë.

Sipas tij, në Kalludër janë zbuluar dy varreza masive, njëra me 13 mbetje mortore dhe tjetra me gjashtë, ndërsa në Jabukë është zbuluar një tjetër varrezë masive me së paku katër mbetje mortore.

Kurti tha se këto zbulime dëshmojnë nevojën për vazhdimin e kërkimeve dhe për zbardhjen e fatit të personave që ende figurojnë si të zhdukur.

Ai rikujtoi gjithashtu deklaratën e 2 majit 2023, përmes së cilës, sipas tij, Serbia ishte zotuar për bashkëpunim në hapjen dhe deklasifikimin e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës për të zhdukurit.

Një ndër dosjet që Kurti kërkoi të deklasifikohet është ajo e Brigadës së Motorizuar Ushtarake 37 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën tha se ka kryer krime dhe masakra të shumta në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

“Një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, tha ai.

Kurti kërkoi që përgjegjësia për krimet dhe zhdukjet me dhunë gjatë luftës të zbardhet dhe që familjet e të pagjeturve më në fund të marrin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

Në homazhe morën pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Të shtëna me armë në Zvicër, një i vrarë dhe pesë...

0
Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi të shtëna me armë u raportuan gjatë natës në veri të Zvicrës,...