“Sot, mbi 6 muaj që prej thirrjes së seancës konstituive, me në fund kemi Kuvend të konstituuar dhe kemi arritur në pikën e formimit të Qeverisë. Kjo është një vonesë e paprecedentë në historinë e Republikës. Kjo vonesë ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve shtetërore, janë vonuar marrëveshjet ndërkombëtare, plani i rritjes me BE, proceset e reformave dhe është lënduar besueshmëria e shtetit tonë para partnerëve ndërkombëtarë”.

“Në këto 6 muaj, përpjekjet për formimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disahershme e shterruese. Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bë ftesa nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje bashkëqeverisëse”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ftuar deputetët që ta votojnë qeverinë, pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve.

- Reklama -

“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”, ka theksuar Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë me dije se Qeveria e re planifikon miratimin e projektligjit të buxhetit 2026, vendimin për caktimin e pensionit minimal prej 150 euro për 200 mijë pensionistë, rritjen e shtesave për fëmijët me 50 për qind, rritjen e pagës minimale në 500 euro, si dhe ndryshimet ligjore që mundësojnë heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët.

Ai ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit Qeveria ka arritur rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

- Advertisement -

“Katër vitet e fundit kemi ndërtuar me krejt cka kemi ditur e mundur. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon me rritje mesatare mbi 6 për qind. Sfidën e inflacionit kemi ditur ta menaxhojmë. Kemi shtuar punësimin dhe kemi rritur edhe të ardhurat e familjeve. Kemi bërë shumë punë të mira por kemi edhe shumë të tjera që na presim. Kemi liberalizuar vizat në zonat shengen. Kemi përmirësuar imazhin e vendit”, ka thënë ai teksa ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore” , ka deklaruar Kurti mes tjerash.

Ai ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore, duke theksuar se institucionet e vendit janë ndërtuar mbi vullnetin qytetar dhe se Kuvendi duhet të forcojë rolin e tij në mbikëqyrjen e Qeverisë.

“Është në dorën tuaj që ta na mundësoni qeverisjen e mirë. Roli i Kuvendit duhet të forcohet në mbikëqyrjen e Qeverisë”, ka thënë mes tjerash Kurti, transmeton rtk.