Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bashkëpunimi ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar duhet të shkojë përtej marrëdhënieve politike dhe diplomatike, duke theksuar potencialin për investime në teknologji, energji dhe infrastrukturë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Forumi i Parë Kosovë-Britani synon të avancojë bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Duke folur në hapjen e Forumit të Biznesit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë 2026, Kurti tha se marrëdhëniet politike dhe diplomatike mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe janë të rëndësishme, por sipas tij, janë lidhjet ekonomike ato që krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme mes njerëzve dhe shoqërive.
“Përderisa miqësia jonë afatgjatë dhe marrëdhëniet diplomatike tona i kanë afruar shtetet tona, është ndërlidhja ekonomike ajo që krijon ndërlidhje të qëndrueshme në mes njerëzve dhe popujve tanë”, tha Kurti.
Ai theksoi se bizneset kanë rol të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës, hapjen e tregjeve dhe qarkullimin e ideve dhe kapitalit përtej kufijve.
Kurti për marrëdhëniet Kosovë-Britani
Kryeministri kujtoi historinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke përmendur njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kontributin britanik në kuadër të KFOR-it.
Kurti përmendi edhe hyrjen e trupave britanike në Kosovë në qershor të vitit 1999, nën udhëheqjen e atëhershme të komandantit të KFOR-it, gjeneralit Mike Jackson.
Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve ndër vite është zgjeruar edhe në fushën e sigurisë.
“Sot jemi krenarë me faktin që Kosova nuk ka qenë vetëm marrëse e kësaj mbështetjeje, por ka bërë një rol aktiv në kontributin e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.
Përmenden rritja ekonomike dhe investimet
Duke folur për zhvillimet ekonomike, Kurti tha se Kosova ka shënuar rritje ekonomike gjatë viteve të fundit.
Sipas shifrave të prezantuara prej tij, Bruto Produkti Vendor është rritur me 4.3 për qind në tremujorin e parë dhe 4.2 për qind në tremujorin e dytë.
Ai deklaroi gjithashtu se në pesë vitet e fundit fitimet korporative janë rritur për 150 për qind, ndërsa krijimi i bizneseve të reja është rritur për 26 për qind. Sipas tij, bizneset me pronësi të huaj janë rritur për 55 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
Kurti foli edhe për rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte. Ai tha se eksportet janë dyfishuar, ndërsa raporti eksport-import është përmirësuar nga 1 me 9 në 1 me 6.
Sa u përket investimeve të huaja direkte, Kurti tha se ato kanë arritur në 847 milionë euro, ndërsa sipas tij, në vitet e fundit për herë të parë kanë kaluar edhe pragun prej 1 miliard eurosh.
Teknologjia, energjia dhe infrastruktura
Në fokus të mundësive për investime të reja, kryeministri përmendi sektorin e teknologjisë informative dhe të komunikimit, infrastrukturën dhe energjinë.
Kurti tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa për forcimin e kornizës ligjore për investitorët e huaj, me synim krijimin e një mjedisi më të parashikueshëm për investime.
“Ligjet e Kosovës ofrojnë trajtim të barabartë për investitorët e huaj dhe ata vendorë, dhe institucionet tona vazhdojnë të përforcojnë kushtet për investime të qëndrueshme dhe afatgjata”, tha Kurti.
Forumi Kosovë-Britani synon të krijojë hapësirë për kontakte të drejtpërdrejta mes bizneseve dhe institucioneve të të dyja vendeve, me fokus në mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe investime, transmeton rtk.










