Shqipëria pësoi një humbje 2-1 ndaj Finlandës në Helsinki, në ndeshjen e tretë të saj në Ligën e Kombeve, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas përfundimit të takimit.
Duka vlerësoi përpjekjen e kuqezinjve deri në fund, por pranoi se këtë herë rezultati nuk ishte në favor të Shqipërisë.
“Një ndeshje që nuk shkoi siç e dëshironim në Helsinki. Luftuam deri në fund, por këtë herë rezultati nuk ishte në anën tonë”, shkroi Duka në reagimin e tij.
Në fund të mesazhit, presidenti i FSHF-së u bëri thirrje kuqezinjve të vazhdojnë përpara, duke theksuar se rrugëtimi në Ligën e Kombeve nuk ka përfunduar.
“Kokën lart, kemi edhe tre ndeshje të tjera”, u shpreh ai. Me humbjen në Helsinki, Shqipëria mbetet me 6 pikë dhe zbret në vendin e dytë të Grupit 1 të Ligës C. Finlanda, pas fitores, kryeson grupin me 7 pikë. Kuqezinjtë tashmë do të kërkojnë rikthimin te rezultatet pozitive në tri ndeshjet e mbetura, në një garë që mbetet e hapur për kreun e grupit, transmeton rtsh.










