Nga Ragip RAMAJ, GJERMANI
Yjet kanë veshur kostumet e natës
me këmishë e kollare terri.
Ecim sipri këtyre rrugëve
shtruar me kufoma zogjsh.
Një zë vjen dikah.
Zë i territ
zë i natës
zë i kukuvajkës.
Vjen nga drejtimi s’di kah
dhe hyn thellë në veshët e mi të shurdhët:
Ku po shkon?
Nuk përgjigjem
nuk i flas.
Sepse njeriu mund të flasë me gjithçka
vetëm pa fjalë nuk mund të flasë.
Ku po shkon?
Pyesin rrugët
pyesin malet përreth
pyet toka e qielli.
Kur kolona arrin mes malesh që nuk janë male
mes do lugjeve që nuk janë lugje
buzë një grope që nuk është sall gropë
mes do shtëpive që nuk janë shtëpi
sepse nuk kanë as themele as çati
në një vend që mund të jetë gjithçka përveç atdhe
vetëvetiu më del pyetja:
Ku po shkon?
As nuk përgjigjën rrugët
as nuk përgjigjën malet
as tokë as qiell.
Sall nga thellësi e Natës
vjen një zë që është zëri im:
Në harrim!










