
Nga Dashnim HEBIBI
Zürich, 06 mars 2026 – Historia shpesh nuk përsëritet në të njëjtën formë, por shpesh ngjan në mënyrë të frikshme. Shpesh ajo na paralajmëron. Pyetja është nëse ne dimë ta dëgjojmë. Në vitin 1914, në krye të Shqipërisë u vendos një princ i huaj, Wilhelm zu Wied, i njohur në historinë tonë si Princ Vidi. Ai erdhi me vendim të fuqive të mëdha evropiane për të stabilizuar një shtet të ri shqiptar që sapo kishte dalë nga Perandoria Osmane. Kur mbërriti në Durrës më 7 mars 1914, shpresat ishin të mëdha: një shtet i ri, një administratë e re dhe një fillim i ri për shqiptarët.
Por realiteti ishte shumë më i vështirë.
Brenda vendit kishte përçarje politike, rivalitete personale, mungesë besimi mes forcave politike dhe mungesë uniteti për interesin e përbashkët të shtetit. Kryengritje, intriga dhe luftë për pushtet e bënë qeverisjen pothuajse të pamundur. Princ Vidi qëndroi vetëm gjashtë muaj në Shqipëri. Në shtator të vitit 1914 ai u largua, duke lënë pas një shtet të brishtë dhe një histori që sot shihet si simbol i mungesës së unitetit politik. Më shumë se një shekull më vonë, ndonëse në rrethana krejt të tjera historike, disa pamje të jetës politike shqiptare duket sikur na kujtojnë pikërisht atë periudhë e tash në Kosovë.
Më 5 mars, ndërsa në gjithë Kosovën përkujtohej epopeja heroike e familjes së Adem Jashari në Prekaz, politika kosovare po përjetonte një tjetër krizë institucionale për mos zgjedhjen e Presidentes. Dita ishte e mbushur me aktivitete përkujtimore, me fjalime për sakrificën, lirinë dhe shtetin e Kosovës. Emri i komandantit legjendar dhe familjes së tij u përmend si simbol i qëndresës dhe unitetit.
Por ndërsa në Prekaz kujtohej sakrifica për shtetin, në Prishtinë politika dukej se kishte vështirësi të kujtonte përgjegjësinë për ta mbajtur atë funksional. Kuvendi i Kosovës u mblodh për të vazhduar procesin e rëndësishëm institucional për të zgjedhur Presidentin, por seanca u zvarrit deri në orët e vona të natës. Qytetarët ndoqën me shqetësim zhvillimet, ndërsa në sallë mungonin edhe deputetë. Në një moment kyç ishin vetëm 66 deputetë të pranishëm – numër i pamjaftueshëm për të vazhduar votimin. Procesi për zgjedhjen e presidentit ishte paralajmëruar prej kohësh se do të ishte i vështirë. Koha për të gjetur një marrëveshje politike ka ekzistuar. Dialogu ka qenë i mundur. Por duket se kompromisi është bërë fjala më e vështirë në fjalorin politik.
Pozita vazhdon të mbrojë qëndrimet e saj si të drejta dhe të nevojshme. Opozita nuk lëshon pe. Secila palë flet për parime dhe përgjegjësi. Por ndërkohë shteti mbetet i bllokuar dhe qytetarët mbeten spektatorë të një krize që duket se përsëritet vazhdimisht.
Pasojat janë të dukshme.
Kosova përballet me rrezikun e zgjedhjeve të reja. Edhe një herë. Edhe një cikël tjetër politik që sjell pasiguri, shpenzime dhe lodhje për shoqërinë. Zgjedhje pas zgjedhjesh, ndërsa ekonomia mbetet e brishtë dhe qytetarët përballen me sfida të përditshme. Në një anë shohim politikanë që flasin për përgjegjësi dhe parime, që shfaqen me kravata elegante dhe makina të shtrenjta. Në anën tjetër janë qytetarët që presin institucione funksionale, stabilitet dhe një perspektivë më të qartë për të ardhmen. Në këtë situatë, edhe mërgata shqiptare e ndjek me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve. Për shumë shqiptarë jashtë vendit, Kosova është një histori sakrifice dhe shprese. Ata e shohin me shqetësim çdo krizë politike që rrezikon të dëmtojë imazhin dhe stabilitetin e shtetit.
Sidomos sot, kur bota është më e trazuar se në shumë vite të fundit. Konfliktet ndërkombëtare, tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë ekonomike kërkojnë shtete të qëndrueshme dhe institucione të forta. Në këtë kontekst, krizat e brendshme politike bëhen edhe më të rrezikshme. Historia e Princ Vidit është një kujtesë e qartë për këtë realitet. Një shtet i ri nuk dobësohet vetëm nga presionet e jashtme. Shpesh ai dobësohet nga përçarjet e brendshme, nga mungesa e kompromisit dhe nga politika që vendos interesin partiak mbi interesin shtetëror. Kosova është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha. Ajo është rezultat i një historie rezistence dhe një ëndrre kolektive për liri dhe shtet. Prandaj përgjegjësia për ta mbajtur këtë shtet funksional është shumë më e madhe se interesat e përditshme politike.
Ndërsa nata e 5 marsit ra e zymtë mbi Prishtinë, një pyetje mbetet pezull: deri kur kështu?
Sepse në fund të fundit, krizat politike kalojnë. Politikanët ndryshojnë. Qeveritë bien dhe ngrihen. Por një gjë mbetet gjithmonë: barra e pasojave bie mbi qytetarët. Dhe pikërisht qytetarët janë ata që meritojnë më shumë përgjegjësi, më shumë unitet dhe më shumë vizion nga politika e tyre. Kosova mbetet pa president. Zgjedhje të reja mund të jenë përpara nesh. Një natë e ngarkuar dhe plot zhvillime politike kaloi, por zgjedhje nuk pati. Lemshi politik vazhdon të mbetet i pazgjidhur dhe pa një zgjidhje të qartë në horizont. Qytetarët i kanë sytë nga mediat dhe institucionet, në pritje të një përgjigjeje që do t’i japë fund kësaj paqartësie. Ndërkohë, mërgata shqiptare – e cila gjithmonë ka qenë pranë vendit në momentet më të rëndësishme – mbetet padyshim e zhgënjyer nga kjo situatë.
Sigurisht që sot do ta kishim presidentin, por si shpeshherë në politikën tonë, faji mbetet jetim. Askush nuk merr përgjegjësi të plotë për ngërçin e krijuar, ndërsa qytetarët mbeten të lodhur nga pritja dhe nga premtimet që shpesh mbeten vetëm fjalë.
Nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, atëherë duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë. Duhet të mendojmë mirë kujt do t’ia japim votën, sepse vota nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Politika duhet të nxjerrë mësime nga kjo situatë dhe të kuptojë se interesat e shtetit duhet të jenë mbi interesat partiake.
Presidenti i vendit, padyshim, do të ishte mirë të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët. Një mandat i marrë nga populli do ta bënte këtë figurë më përfaqësuese dhe më unifikuese për të gjithë, përtej ndarjeve politike. Kosova ka nevojë për institucione të forta dhe për figura që i bashkojnë qytetarët, jo që i ndajnë ata.
Se çfarë do të ndodhë më tej mbetet të shihet. Por një gjë është e sigurt: mjegulla nuk shitet – populli po sheh. Qytetarët e Kosovës janë gjithnjë e më të vetëdijshëm dhe më kërkues ndaj politikës. Prandaj, ajo që na duhet sot më shumë se kurrë është uniteti, përgjegjësia dhe vendime që i shërbejnë vendit. Vetëm kështu mund të dalim nga ky ngërç dhe të ecim përpara me më shumë besim në institucionet tona dhe në të ardhmen e Kosovës. Vendimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja është një moment i rëndësishëm politik për vendin. Ky hap erdhi pas dështimit të përfaqësuesve politikë për të gjetur zgjidhje institucionale, duke e futur vendin në një tjetër cikël zgjedhor.
Në thelb, kjo situatë tregon një problem të vazhdueshëm në skenën politike të Kosovës: mungesën e kompromisit dhe të përgjegjësisë politike. Kur institucionet nuk arrijnë të funksionojnë përmes dialogut dhe marrëveshjes, qytetarët janë ata që përballen me pasojat e bllokadës politike.
Deklarata e presidentes se Kushtetuta nuk është “tekst ceremonial”, por një kontratë e përbashkët e shtetit, është një kujtesë e rëndësishme për klasën politike. Kushtetuta vendos kufijtë e lojës demokratike dhe obligon institucionet të veprojnë në interes të shtetit dhe të qytetarëve.
Megjithatë, zgjedhjet e reja nuk janë gjithmonë zgjidhja më e lehtë. Ato kërkojnë kohë, resurse dhe mund të krijojnë një periudhë të gjatë pasigurie politike. Por në të njëjtën kohë, ato janë edhe një mekanizëm demokratik që i jep qytetarëve mundësinë të rikonfirmojnë ose të ndryshojnë përfaqësimin e tyre politik.
Prandaj, zgjedhjet që po vijnë duhet të shihen jo vetëm si pasojë e një dështimi politik, por edhe si një mundësi për reflektim. Është momenti që qytetarët të vlerësojnë performancën e politikanëve dhe të vendosin se cilët meritojnë besimin për të udhëhequr vendin në të ardhmen.
Në fund, stabiliteti i Kosovës nuk varet vetëm nga zgjedhjet, por nga vullneti i politikanëve për të respektuar institucionet dhe për të vendosur interesin e shtetit mbi interesat partiake.




