Prishtinë – Kosova do t’i bashkohet shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një sërë aktivitetesh që do të organizohen në ditët në vijim.
E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, do të organizojë një pritje solemne në kuadër të kremtimit të këtij jubileu të rëndësishëm për shtetin amerikan. Në prag të festimeve, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka vendosur një flamur gjigant amerikan në ambientet e saj, si pjesë e aktiviteteve simbolike që i paraprijnë shënimit të 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, aktivitete për këtë përvjetor do të organizojë edhe Komuna e Prishtinës. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se më 2 korrik, nën patronatin e Kryeqytetit, do të mbahet aktiviteti me temën “America and Kosova – A Freedom Story for the Next 250 Years”.
Sipas njoftimit, ngjarja do të nisë në orën 10:00 dhe do t’i kushtohet historisë së lirisë, partneritetit dhe miqësisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke vënë në pah bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e ngushta ndërmjet dy vendeve, transmeton rtk.




