BallinaSportiKosova barazon me Austrinë, fitorja i iku në minutat e fundit

Kosova barazon me Austrinë, fitorja i iku në minutat e fundit

-

Kosova pati raste, përveç që shënoi një gol, goditi edhe shtyllën e majtë.

Dardanët zhvilluan një ndeshje të fortë në “Fadil Vokrri”, kaluan në avantazh me Fisnik Asllanin dhe patën mundësi të dyfishonin rezultatin, por Austria barazoi në minutën e 85-të. Kosova merr një pikë dhe shkon në kuotën e 5 pikëve në Grupin 3.

PRISHTINË – Kosova nuk ka arritur ta mbyllë me fitore përballjen ndaj Austrisë, duke barazuar 1-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së katërt të Grupit 3 të Ligës B të Kombeve. Dardanët patën momente të mira gjatë gjithë takimit, krijuan raste të rrezikshme dhe kaluan në avantazh në pjesën e dytë, por një gol i Austrisë pesë minuta para fundit i la kosovarët vetëm me një pikë.

Ndeshja nisi me ritëm dhe me të dyja skuadrat që kërkuan të merrnin kontrollin e lojës. Kosova ishte ajo që krijoi rastin e parë serioz. Në minutën e 8-të, Veldin Hoxha priti një krosim në hyrje të zonës dhe goditi fuqishëm, por topi përfundoi jashtë, pranë shtyllës së majtë.

Austria reagoi shpejt dhe vetëm dy minuta më vonë krijoi një mundësi të artë. Michael Gregoritsch goditi me kokë nga rreth 11 metra, por Amir Shaipi u shfaq në nivel të lartë, duke bërë një pritje spektakolare dhe duke shpëtuar portën e Kosovës.

Portieri kosovar vazhdoi të ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Dardanëve. Në minutën e 25-të, Alexander Prass provoi nga distanca drejt këndit të poshtëm të majtë, por Shaipi reagoi në kohë dhe e ndali goditjen.

Kosova tentoi të përgjigjej përmes aksioneve në krahë dhe topave të gjatë drejt Vedat Muriqit. Në minutën e 34-t, Mërgim Vojvoda dërgoi një krosim në zonë, por portieri austriak Alexander Schlager doli nga porta dhe e kontrolloi topin.

Në minutën e 38-të, Muriqi mori një pasim të bukur në thellësi dhe u përpoq të depërtonte, por mbrojtja austriake reagoi në momentin e duhur. Ndërsa pak para pushimit, një gabim në pasimin prapa nga mbrojtja austriake për pak sa nuk i dha Kosovës një mundësi të artë, por Schlager doli shpejt nga porta dhe e largoi rrezikun.

Pjesa e parë përfundoi 0-0, por ndeshja ishte e hapur dhe me raste nga të dyja skuadrat.

Kosova rrit presionin pas pushimit

Në pjesën e dytë, Dardanët u shfaqën më kërkues dhe filluan të shtonin presionin në zonën kundërshtare. Në minutën e 51-të, Kosova mendoi se kishte kaluar në epërsi, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Vetëm pak minuta më vonë, Edon Zhegrova mori një pasim të bukur dhe provoi nga rreth 22-23 metra. Goditja ishte e fuqishme, por Schlager arriti ta ndalte.

Në minutën e 56-të, Veldin Hoxha pati një tjetër mundësi të mirë. Ai i shpëtoi mbulimit të mbrojtësit dhe goditi me kokë drejt portës, por portieri austriak reagoi sërish me sukses.

Kosova po e kërkonte gjithnjë e më shumë golin dhe trajneri ndërhyri me zëvendësime. Në fushë u aktivizuan Fisnik Asllani dhe Milot Rashica, të cilët i dhanë më shumë energji sulmit të Kosovës.

Asllani ndez “Fadil Vokrrin”

Në minutën e 70-të erdhi momenti që tifozët kosovarë po e prisnin. Edon Zhegrova, në vend që të godiste vetë, pa Fisnik Asllanin në pozicion më të mirë dhe i pasoi topin.

Asllani e kontrolloi bukur aksionin dhe me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të majtë mposhti Schlagerin.

Kosova 1-0 Austria.

“Fadil Vokrri” shpërtheu në festë, ndërsa Dardanët morën edhe më shumë besim për minutat e fundit.

Vetëm katër minuta pas golit, Kosova ishte shumë pranë dyfishimit. Milot Rashica mori topin, dribloi me mjeshtëri dy mbrojtës dhe depërtoi në hapësirë jashtë zonës. Ai lëshoi një goditje të fuqishme, por topi u përplas në shtyllën e majtë.

Ishte një nga momentet më të dhimbshme të ndeshjes për Kosovën. Një gol i dytë do ta kishte vendosur skuadrën në një pozitë shumë më të favorshme.

Austria barazon në fund

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt fitores së Kosovës, Austria gjeti golin e barazimit.

Në minutën e 85-të, një rivënie e gjatë nga anësorja u dërgua në zonë. Sasha Kalajxhiq e devijoi topin me kokë, ndërsa Christoph Lang reagoi pranë portës dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë.

Kosova 1-1 Austria.

Goli ishte një goditje e rëndë për Dardanët, të cilët deri në atë moment kishin qenë vetëm pesë minuta larg një fitoreje të rëndësishme.

Në minutën e 88-të, Kosova pësoi edhe një shqetësim tjetër. Milot Rashica u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një lëndimi dhe në vend të tij hyri Meriton Korenica.

Minutat e fundit kaluan me presion dhe luftë për çdo top, por rezultati nuk ndryshoi.

Kosova merr një pikë

Me barazimin 1-1, Austria vazhdon të kryesojë Grupin 3 me 8 pikë, ndërsa Kosova renditet e dyta me 5 pikë.

Dardanët mund të kenë keqardhje për rezultatin, pasi patën epërsinë, krijuan raste të mira dhe goditën edhe shtyllën. Në fund, një moment i vetëm i Austrisë mjaftoi që skuadra mysafire të largohej nga Prishtina me një pikë.

Megjithatë, para rreth 13 mijë tifozëve në “Fadil Vokrri”, Kosova tregoi karakter, sidomos në pjesën e dytë, kur rriti presionin dhe arriti të kalojë në avantazh.

Kosova – Austria 1-1

Stadiumi: “Fadil Vokrri”, Prishtinë
Shikues: 13 mijë
Gjyqtar: Antonio Nobre, Portugali
Shënues: Fisnik Asllani 70′ – Christoph Lang 85′

Kosova: Shaipi, Dellova, I. Krasniqi, Raçi, Vojvoda, Avdullahu, Hoxha, Gallapeni, Zhegrova, Zabërgja, Muriqi.

Austria: A. Schlager, Danso, X. Schlager, Posch, Seiwald, Schmid, Gregoritsch, Bacher, Laimer, Wimmer, Prass. Barazimi e mban Kosovën në vendin e dytë, por fitorja e humbur në fund lë pas një ndjesi zhgënjimi. Dardanët patën mundësinë ta mbyllnin ndeshjen, sidomos pas goditjes së Rashicës në shtyllë, por Austria shfrytëzoi një nga rastet e pakta dhe mori pikën në minutat e fundit./K.GOCA/BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Nis viti i ri akademik, rreth 20 mijë studentë ulen sot...

0
Tiranë – Universitetet shqiptare hapin sot dyert për vitin e ri akademik, me rreth 20 mijë studentë të rinj që pritet të ulen për herë të parë...