Cyrih, 08 tetor 2026 – Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, siç mëson helveticALforum.ch ka pritur sot në takim tenorin e njohur kosovar Rame Lahaj, në kuadër të përgatitjeve për koncertin e tij që do të mbahet më 10 tetor në Kongresshaus Zürich. Koncerti në Cyrih është pjesë e turneut ndërkombëtar “Passion & Origin”, përmes të cilit Rame Lahaj, së bashku me Arma Ensemble, po prezanton një program muzikor në skena të ndryshme ndërkombëtare. Turneu ndërthur repertorin klasik ndërkombëtar me elemente muzikore që lidhen me origjinën e artistit kosovar.

Gjatë takimit në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, u diskutua për rëndësinë e këtij aktiviteti kulturor dhe rolin e artit në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në fokus ishin gjithashtu mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e diplomacisë kulturore dhe prezantimin e vlerave artistike të Kosovës në Zvicër.

Në koncertin e së shtunës pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Korit Konsullor në Cyrih, çka i jep aktivitetit një dimension të veçantë diplomatik. Pjesëmarrja e tyre pritet të krijojë një mundësi shtesë për promovimin e kulturës dhe traditës artistike të Kosovës para përfaqësuesve të komunitetit diplomatik dhe ndërkombëtar në Zvicër. Konsulli i Përgjithshëm Vigan Berisha vlerësoi kontributin e Rame Lahajt në afirmimin e Kosovës përmes artit dhe muzikës në skenat ndërkombëtare. Në përfundim të takimit, Berisha i uroi Lahajt suksese në koncertin e 10 tetorit në Cyrih, duke shprehur mbështetjen për iniciativa të tilla që kontribuojnë në promovimin e kulturës së Kosovës jashtë vendit, njofton Konsullata e Përgjitshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, transmeton helveticALforum.ch.
Foto nga Konsullata










