Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, siç mëson helveticALForum.ch, ka shoqëruar Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë një vizite zyrtare në Irlandë, ku u zhvilluan takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të shtetit irlandez.
Sipas Kapitit, vizita u karakterizua nga diskutime produktive dhe një atmosferë pozitive bashkëpunimi. “Isha i kënaqur të shoqëroja Zëvendëskryeministrin Konjufca gjatë kësaj vizite të rëndësishme në Irlandë. Duke pasur parasysh se Irlanda së shpejti do të marrë Presidencën e Bashkimit Evropian, bisedimet tona u përqendruan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në avancimin e rrugës së Kosovës drejt BE-së,” u shpreh ai.

Gjatë qëndrimit në Dublin, delegacioni kosovar u prit nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Tregtisë dhe Mbrojtjes, Helen McEntee, si dhe nga përfaqësues të parlamentit irlandez, përfshirë senatorin Pat Casey dhe deputetët Barry Ward dhe Ruairí Ó Murchú.
Kapiti shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e ngrohtë dhe për shkëmbimet e vlefshme që, sipas tij, kontribuojnë në forcimin e partneritetit mes dy vendeve dhe në rritjen e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën.
Vizita në Irlandë konsiderohet një hap i rëndësishëm në intensifikimin e diplomacisë kosovare, veçanërisht në një moment kur vendi synon të përshpejtojë integrimin e tij në strukturat evropiane, transmeton helveticALForum.ch.




